Në vijim të kontrolleve të përbashkëta midis Agjencisë së Mbikqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), më 23.05.2026 u kryen verifikime në IEVP Fier për goditjen e paligjshmërisë në sistemin penitenciar. Në përfundim të veprimeve operative u konstatua një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike në një prej dhomave të këtij IEVP-je, si dhe disa telefona celularë në ambiente të ndryshme të përbashkëta. Nga kontrolli personal i një shtetasi të paraburgosur u gjet një sasi me lëndë të dyshuar narkotike, e fshehur në veshjet personale.
Në drejtim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Organet e Proçedimit Penal të AMSEVP kryen veprime proceduriale dhe arrestuan në flagrancë shtetasin I.B., pasi dyshohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, të parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal. Sipas informacionit, I.B. ndodhet aktualisht i paraburgosur në të njëjtën IEVP për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, të parashikuar nga nenet 278/4 dhe 189 të Kodit Penal.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi A.M., i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”, të parashikuara nga nenet 283 dhe 324/a të Kodit Penal. Ky shtetas, sipas njoftimit, është aktualisht i dënuar me 12 vjet burgim për veprën penale “Vrasje me dashje”, të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
Është inicuar procedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndaj punonjësve të IEVP Fier: A. H., Shef i policisë në IEVP Fier; N.H., Shef i regjimit të brendshëm; A M., specialist policie; A.M., kontrollor; O.K., kontrollor; dhe R.S., kontrollor.
Top Channel

