Dy ditë më parë ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme Timcho Mucunski shpërndau në rrjete sociale një postim ku pretendonte se Maqedonia e Veriut kishte marrë më shumë fonde nga Komisioni Europian se Shqipëria. Ky lajm u hodh poshtë menjëherë brenda Maqedonisë së Veriut. Gazetari Sefer Selmi shpjegon në një postim në rrjete sociale se ministri kishte publikuar vetëm këstin e fundit të fondeve të akorduara, ndërsa në total Shqipëria ka marrë dhjetëra miliona euro më shumë se fqinjët.
Sipas të dhënave që citon Selmi, në pagesën e fundit Maqedonia e Veriut mori 65.7 milionë euro, Shqipëria 49 milionë euro dhe Mali i Zi 44.2 milionë euro. Komisioni Europian sqaron se kjo pagesë ishte e treta gjashtëmujore, bazuar në kërkesat për pagesë dhe vlerësimin e hapave specifikë reformues për atë periudhë; për Shqipërinë në fushat e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit, ndërsa për Maqedoninë e Veriut në arsim dhe digjitalizim. Prandaj, sipas Komisionit, këto shuma nuk përbëjnë një renditje “kush është i pari në rajon”.
Kur shihet tabloja e plotë, Selmi citon shumat totale të liruar: 212.8 milionë euro për Shqipërinë, 142.1 milionë euro për Maqedoninë e Veriut dhe 89.3 milionë euro për Malin e Zi. Ai përmend gjithashtu se në pagesën e mëparshme Shqipëria kishte marrë 99.3 milionë euro, ndërsa Maqedonia e Veriut vetëm 15.9 milionë euro; në atë moment totali i disbursuar ishte 99.3 milionë për Shqipërinë dhe 23.8 milionë për Maqedoninë e Veriut.
Selmi thekson se paratë jepen vetëm për përmbushjen e kushteve reformuese: pagesat bëhen dy herë në vit, mbi bazën e kërkesave të vendeve partnere dhe pas verifikimit të përmbushjes së kushteve; nëse kushtet nuk plotësohen, shuma pezullohet ose reduktohet. Prandaj, sipas tij, pretendimi se një vend është “i pari në rajon” është manipulativ kur bazohet vetëm në një këst të izoluar. Në këtë raund Maqedonia e Veriut mori më shumë sepse kishte më shumë hapësirë të mbetur pas performancës më të dobët në pagesën e mëparshme, ndërsa Shqipëria kishte marrë më shumë më parë për shkak të përmbushjes së kushteve. Selmi shton se RMV humbi mundësinë për t’u përfituar edhe 70 milionë euro për shkak të mospërmbushjes së reformave.

