Edhe pas më shumë se tetë dekadash, protagonistët dhe antagonistët e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri vazhdojnë të shkaktojnë debate mes historianëve. Autori Naim Zoto ka botuar një monografi për Xhelal Staraveckën, një nga figurat më të diskutuara të kohës, i cili dezertoi nga Ushtria Nacional Çlirimtare për t’u bashkuar më pas me xhandarmërinë. Çështja qendrore rreth figurës së tij lidhet me dyshimet nëse ai ka marrë pjesë në masakrën e 4 shkurtit 1944, kur në Tiranë humbën jetën 81 civilë. Ngjarja ndodhi gjatë Mësymjeve armike të Dimrit 1943–’44 të pushtuesve nazistë, me qëllim të frikësonin popullin dhe të vendosnin rendin që kërkonte regjimi i pushtimit.
Zoto thotë se “në të gjitha dokumentet, shqiptare dhe të huaja del fare qartë që Xhelal Staravecka nuk ka lidhje me këtë ngjarje”. Ai solli botimin pas një pune gati 10-vjeçare kërkimore në arkiva, duke përfshirë në monografi dhjetëra dokumente dhe dorëshkrime për veprimtarinë e Staraveckës. Në përfundim të studimit, autori arrin në konkludimin se Staravecka nuk ka qenë pjesëmarrës në ngjarjen e 4 shkurtit, për çka është hapur një ballafaqim argumentesh mes historianësh.
Për këtë çështje, Paskal Milo thekson se “Ai s’ka lidhje me 4 shkurtin, sepse e ka marrë detyrën e komandantit të xhandarmërisë së Tiranës në 13 shkurt. Janë dokumentet me firmë e me vulë”. Ndërsa Pëllumb Xhufi shpreh dilema të tjera: “Po sikur të ketë shkuar për të vënë provën që e ka vënë Kadri Cakrani si ushtar i thjeshtë. Të shkosh të bëhesh komandant i xhandarmërisë, nuk është nderi i madh, dihet çfarë ka ndodhur në Tiranë”.
Autori vetë thotë se libri është për vlerësim nga të tjerët dhe shfaq rezervën për të bërë vlerësime që i takojnë historianëve: “Ky libër është për ta vlerësuar ju, unë nuk marr guximin të bëj vlerësime që u takojnë historianëve. Dokumentet janë të gjitha origjinale. Çudia ime është si nuk vajti njeri të verifikojë kush ka qenë komandant i xhandarmërisë së Tiranës në 4 shkurt?”. Historianët nënvizuan nevojën për më shumë studime për figura të tilla kontradiktore, por kërkojnë që këto hetime të mos cënojnë tablonë e përgjithshme të historisë shqiptare.

