Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 20 maj 2026, vendosi fikse të çmimeve maksimale për nënproduktet naftë në tregun vendas. Për nënproduktin gazoil, standardi SSH EN 590, çmimi maksimal i shitjes me pakicë u vendos 202 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë 190 lekë për litër. Për nënproduktin benzinë, standardi SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë u vendos 188 lekë për litër, dhe ai i shitjes me shumicë 176 lekë për litër.
Vendimi hyn në fuqi të njëjtën ditë, më 20 maj, në orën 18:20, dhe do të mbetet i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi, dhe njofton se në rast të shkeljeve të konstatuara do të vendoset pezullimi i aktivitetit për operatorët përgjegjës.
Në zbatimin dhe mbikëqyrjen e masave janë të angazhuara Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim lidhur me implikimet fiskale: referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, i cili shton dispozita në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, parashikohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë për litër, ose për benzinën më i lartë se 200 lekë për litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura aktualisht nga Bordi janë nën këto kufij, dhe për rrjedhojë do të zbatohet niveli i plotë i akcizës, 100%.

