Prokuroria e Romës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Mark Antony Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sulës, në mars të vitit të kaluar. Sipas akuzës, i riu e vrau me thikë vajzën dhe më pas hodhi trupin e saj, të futur në një valixhe, në një humnerë. Samson ka pranuar krimin dhe akuzohet për vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës. Prokurorët thanë se krimi “ishte planifikuar dhe u ekzekutua me gjakftohtësi”.
Procesi po zhvillohet në sallën bunker të burgut Rebibbia në Romë. Hetimet tregojnë se Samson e goditi Ilarian tre herë me thikë në qafë në apartamentin e tij në Romë. Pas vrasjes, ai dyshohet se e vendosi trupin në një valixhe dhe e hodhi në një humnerë në Capranica Prenestina. Prokuroria e përshkroi dosjen hetimore si “të rëndë dhe me prova të forta”, ndërsa akuzon të pandehurin për vrasje të rëndë me paramendim, motive të ulëta dhe fshehje të trupit.
Gjatë paraqitjes së ngjarjes në gjykatë, prokurori shtesë Giuseppe Cascini deklaroi se “Samson e kishte thirrur Ilarian në një pritë në banesën e tij. Ajo fillimisht u godit me grushte dhe më pas u ther me thikë”. Sipas prokurorisë, i pandehuri nuk tregoi asnjë mëshirë ndaj viktimës; pas krimit ai kishte dalë të ngrente. Prokurori e përshkroi Samson si “manipulues, hipokrit dhe të mësuar me gënjeshtra”, duke shtuar se ai kontrollonte jetën e Ilarias gjatë marrëdhënies së tyre.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe prindërit e viktimës, Flamur dhe Gezime Sula, të cilët mbështesin kërkesën për burgim të përjetshëm. Ata u shprehën se “nesër do të ishte ditëlindja e Ilarias” dhe se “burgimin e vërtetë të përjetshëm e kemi ne, sepse ai ende jeton, merr frymë, ha dhe pi, ndërsa vajza jonë i mbylli sytë përgjithmonë”. Lajmi është raportuar nga mediat, ndër të cilat tgcom24; shkrimin e përpunoi Top Channel.

