Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se nuk heq dorë nga posti dhe synon të mbajë detyrën deri në zgjedhjet e përgjithshme të 2029-s. Deklarata vjen pas rifillimit të debatit për rivalët e tij për postin, pas rezultatit katastrofal të Laburistëve në zgjedhjet lokale dhe rajonale, që ka nxitur përpjekje për largimin e tij nga detyra.
Sipas korrespondentit të Top-Channel, Arben Manaj, në një prononcim të bërë këtë të hënë në Londër Starmer tha se dëshiron të jetë kryeministër i Laburistëve deri në 2029 dhe këmbënguli se mandati i tij nuk ka përfunduar. Ai theksoi se nuk do të vendosë një afat për largimin, edhe nëse kryebashkiaku i Mançesterit, Andy Burnham, arrin të rikthehet në Parlament si kusht për të konkurruar për postin e kryeministrit, përfshirë rastin e një zgjedhjeje parakohshme në një zonë ku partia Reform e Nigel Farage gëzon mbështetje të fortë.
Ish-ministri për Shëndetësinë, Wes Streeting, i cili dha dorëheqjen nga posti, do të jetë ndër kandidatët që mund ta sfidojnë Starmer nëse siguron shumicën e votave të anëtarëve të Partisë Laburiste. Humbja e rëndë e Laburistëve më 7 maj çoi në atë që një e treta e deputetëve laburist në Parlament të kërkonin largimin e Starmer.
Rregulli për çdokënd që dëshiron ta sfidojë kryeministrin kërkon mbështetjen e 20% të deputetëve laburist në Parlament; me 403 deputetë Laburistë kjo nënkupton 82 vota për të hyrë zyrtarisht në garë. Pavarësisht se si dhe kur do të zhvillohet procesi, është bërë e qartë se Starmer do të qëndrojë në detyrë gjatë gjithë periudhës së verës, ndoshta deri në fund të shtatorit; kjo periudhë pritet të sjellë qetësi për investitorët e shqetësuar për kostot e huamarrjes qeveritare.
Gara mbetet me shumë të panjohura, si për kandidatët zyrtarë që do të dalin përfundimisht, ashtu edhe për temat e debatit. Çështjet e Brexit-it dhe rifutjes së Britanisë në BE pritet të jenë sfiduese për çdo kandidat që nuk shpreh qartë synimet e tij, ndërsa Nigel Farage mund të luajë rol strategjik në sprovimin dhe shfaqjen e kandidatëve potencialë, përfshirë atë që Laburistët për momentin mendojnë se nuk duhet të jetë Keir Starmer.

