Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës janë rritur ndjeshëm, ndërsa rriten edhe frikërat për përshkallëzim të konfliktit në ishull. Sipas një analize të CNN, autoritetet kubane kanë nisur përgatitje emergjente dhe plane mbrojtjeje civile, ndërsa popullsia përballet me krizë ekonomike, mungesë karburanti dhe ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.
Rritja e tensionit lidhet me vizitën në Havana të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, John Ratcliffe, një lëvizje që në Kubë u interpretua si sinjal i fortë politik nga administrata amerikane. Sipas raportimit, Ratcliffe akuzoi autoritetet kubane për bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën në instalimin e posteve të përgjimit në ishull dhe për veprime kundër interesave amerikane në rajon. Vetëm pak orë pas largimit të tij, mediat raportuan se prokurorët federalë amerikanë po shqyrtojnë ngritjen e një padie ndaj ish-presidentit kubanez Raul Castro.
Autoritetet kubane kanë përshkruar këto zhvillime si përshkallëzim të rrezikshëm që mund të çojë deri te ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Presidenti kubanez Miguel Díaz-Canel deklaroi se vendi është “gati të japë jetën për revolucionin”, ndërkohë që mediat shtetërore kanë transmetuar stërvitje ushtarake dhe masa për mobilizim civil në rast të një sulmi të mundshëm. Autoritetet gjithashtu kanë shpërndarë udhëzime për qytetarët se si të përgatiten për një “agresion ushtarak hipotetik”, duke rekomanduar grumbullimin e ushqimeve dhe sendeve bazë.
Në kushtet e tensionit politik, gjendja e brendshme sociale dhe shëndetësore paraqitet e rënduar: spitalet raportohet të vuajnë nga mungesa e ilaçeve, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike zgjatin me orë të tëra çdo ditë. Megjithatë, deri tani administrata amerikane nuk ka bërë deklarata publike që konfirmojnë planifikimin e një operacioni ushtarak ndaj Kubës.

