Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 15 Maj 2026, vendosi kufizime të çmimeve për nënproduktet e naftës. Çmimi maksimal i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil me standard SSH EN 590 u vendos të mos jetë më shumë se 198 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë për litër. Për nënproduktin benzinë me standard SSH EN çmimi maksimal i shitjes me pakicë u përcaktua të mos kalojë 185 lekë për litër, dhe çmimi i shitjes me shumicë të mos kalojë 173 lekë për litër.
Bordi bëri me dije se çmimet e vendosura hyjnë në fuqi të njëjtën ditë, 15 Maj 2026, në orën 13:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. U tërhoq vëmendja për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi nga të gjithë operatorët e shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës. Në rast të konstatuar të shkeljeve nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg, sipas njoftimit.
Sqarim lidhur me zbatimin e aktit normativ: Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, që shton ndryshime në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” parashikohet se nëse çmimi i shitjes me pakicë për gazoil është më i lartë se 220 lekë/litër, apo për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në metodologjinë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura nga Bordi janë nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%. Burimi: Top Channel.

