Kompania Sori-Al SHPK reagoi pas vendimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të bllokuar aktivitetin, duke e cilësuar masën si të pabazuar në konkluzion laboratorik që të provonte një episod të helmimit ushqimor të konfirmuar dhe si të kundërligjshme në procedurë. Sipas deklaratës së shoqërisë, dokumentacioni zyrtar të Shërbimit Infektiv në QSUT tregon se personat e paraqitur paraqisnin një tablo klinike nga e lehtë deri në mesme, me diagnozë të referuar si “gastroenterit akut i dyshuar” dhe jo si helmim i konfirmuar laboratorikisht. Pacientët morën trajtim simptomatik dhe u larguan brenda 1–4 orësh në gjendje të stabilizuar, pa pasoja serioze.
Shoqëria thekson se raportet laboratorike dhe epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik deri tani nuk kanë identifikuar patogjenë viralë apo bakterialë tek personat e ekzaminuar; tamponët rektalë të personelit rezultuan negativë për Salmonella dhe Shigella, ndërsa analizat e ujit ishin brenda parametrave të lejuar. AKU bëri publike se nga nëntë mostra të kampionuara tetë dolën brenda normave, dhe jokonformiteti lidhej vetëm me një kampion ushqimor të darkës, produkt i pakonsumuar, që sipas Sori-Al nuk lidhet me rastet e raportuara që ishin të lidhura me vaktin e drekës. Shoqëria argumenton se masa ekstreme e bllokimit u mbështet mbi raportin epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik, i cili sipas saj nuk rekomandon mbylljen por monitorim, masa korrigjuese higjieno-sanitare dhe ndjekje të mëtejshme.
Megjithatë, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit dhe vendosjen e gjobave të shumta, masa që Sori-Al i konsideron tejkalim kompetencash sipas ligjit për Inspektimin dhe Ligjit për Ushqimin. Kompania kërkon që çdo masë administrative të mbështetet në prova të plota dhe procedura ligjore dhe njofton se ka kryer pastrim të thellë, dezinfektim dhe ndërhyrje profesionale D.D.D., si dhe do të bashkëpunojë me institucionet dhe do të ndjekë rrugët administrative dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave të saj.
Nga ana tjetër AKU sqaroi se laboratoritë referencë ISUV konstatuan një mostër makarona jo konforme me ngarkesë mbi norma Escherichia coli dhe stafilokok koagulazë-pozitiv, mostër e marrë në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, dhe për pasojë ndërpreu aktivitetin deri në përmbushjen e kërkesave për pastrim dhe dezinfektim. AKU ndaloi gjithashtu aktivitetin e Sori-Al në Garnizonin “Skënderbej” dhe vendosi një gjobë administrative 1,500,000 lekë, si dhe detyroi asgjësimin e produktit të bllokuar.

