Komisioneri i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), Marty Makary, pritet të largohet nga administrata e Donald Trump, pasi presidenti ka miratuar planin për shkarkimin e tij, raportojnë mediat amerikane, duke cituar burime të njohura me situatën. Makary kishte qenë prej kohësh nën presion, si brenda administratës ashtu edhe nga grupe të jashtme interesi. Një nga përplasjet kryesore qe qëndrimi i tij kundër miratimit të shitjes së cigareve elektronike me aromë, çështje që sipas raportimeve çoi në një përballje të drejtpërdrejtë me Trumpin. Sipas burimeve, Trump ushtroi personalisht presion ndaj tij për këtë çështje, ndërsa më vonë FDA ndryshoi qëndrim lidhur me produktet në fjalë.
Makary u përball gjithashtu me kritika nga industria farmaceutike dhe grupet kundër abortit. Aktivistët kundër abortit kërkonin që FDA të anulonte rregullat që lejojnë dërgimin me postë të pilulës abortive mifepristone, dhe figura të larta të lëvizjes anti-abort, përfshirë Marjorie Dannenfelser të “Susan B. Anthony Pro-Life America”, kishin kërkuar publikisht shkarkimin e tij, duke e akuzuar për mungesë reagimi ndaj kërkesave të lëvizjes. Gjatë drejtimit të tij, FDA u karakterizua nga ndryshime të shpeshta në nivelet e larta drejtuese dhe përplasje të brendshme.
Largimi i Makary-t krijon një tjetër vakancë në strukturat drejtuese të Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore; administrata aktualisht nuk ka ende drejtues të përhershëm në krye të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe në postin e kirurgut të përgjithshëm. Dorëheqja e tij vjen një ditë para se ai të dëshmonte para Komitetit të Buxhetit të Senatit lidhur me buxhetin e propozuar të FDA-së.
Sipas Politico, përpjekjet për largimin e tij u intensifikuan së fundmi nga një grup zyrtarësh të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shëndetësisë, të pakënaqur me drejtimin e agjencisë dhe konfuzionin në politikat e saj. Disa këshilltarë të Trumpit kishin paralajmëruar se shkarkimi i një zyrtari të lartë shëndetësor mund të sjellë pasoja politike, duke zemëruar mbështetësit e lëvizjes “Make America Healthy Again”, të lidhur me sekretarin e Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. Makary, kirurg dhe autor, ishte zotuar pas emërimit në 2025 të përshpejtonte miratimet e ilaçeve, pajisjeve mjekësore dhe vaksinave, por gjatë mandatit u përball me kritika të vazhdueshme nga kompani farmaceutike, kritikë të vaksinave dhe grupe konservatore sociale.

