Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE), Taulant Balla, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit europian dhe është më pranë se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes periodike të KKIE, Balla vlerësoi progresin e arritur në negociatat me BE-në dhe përmendi si arritje historike hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Ai theksoi se nuk ka ngecje apo humbje drejtimi, por vetëm avancim, ritëm dhe besueshmëri në rrugën europiane të vendit, duke nënvizuar se Shqipëria po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të këtij procesi. “Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës sesa është sot. Nuk flitet për ngecje, nuk flitet për humbje drejtimi, pasiguri, flitet vetëm për avancim, ritëm, besueshmëri, për një Shqipëri që po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të rrugës europian. Secila palë duhet ta lexojë me përgjegjësi këtë proces. të gjithë bashkë duhet të punojë për ta jetësuar këtë aspiratë historike”, tha kreu i grupit parlamentar të PS.
Balla vlerësoi gjithashtu se mbështetja e gjerë e qytetarëve për integrimin europian është dëshmi e orientimit strategjik të Shqipërisë dhe e konsensusit kombëtar për të ardhmen europiane të vendit. Ai përmendi miratimin nga Komisioni për Punët e Jashtme i Parlamentit Europian të raportit për Shqipërinë 2025 si një sinjal të fortë mbështetjeje nga institucionet europiane për progresin e reformave dhe ritmin e negociatave.
Kreu i grupit parlamentar theksoi se integrimi nuk është pronë e një qeverie, por aspiratë historike dhe objektiv strategjik i përbashkët: “Sot është e rëndësishme të nënvizojmë se integrimi europian nuk është pronë e një qeverie, por një aspiratë historike dhe objektiv strategjik i përbashkët”. Në përfundim, Balla bëri thirrje që objektivi për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 të mbetet një angazhim i përbashkët politik dhe institucional, duke apeluar për ruajtjen e ritmit të reformave dhe përbashkimin e veprimeve në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.

