Projekti Smart City do të kushtojë 112 milionë euro dhe huaja, e financuar nga Fondi i Zhvillimit të Abu Dabit, u miratua nga Parlamenti më 13 mars 2025 dhe mori po ashtu pëlqimin e presidentit të Republikës. Huamarrësi do të paguajë interes në normën katër për qind në vit. Periudha e shlyerjes do të jetë 15 vjet, përfshirë 3 vjet si periudhë mospagimi. Sipas dokumentit, shteti shqiptar do të paguajë çdo gjashtë muaj, duke nisur nga 14 gusht 2028, rreth 5 milionë dollarë çdo vit, deri më 14 shkurt 2040.
Investimi është ndarë në katër shtylla kryesore: licencat e softuerit, hardueri dhe infrastruktura, shërbimet profesionale, dhe mbështetje e mirëmbajtje për katër vitet e ardhshme. Projekti përfshin sigurimin dhe instalimin e platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin e qytetit dhe trafikut, një qendër të avancuar kontrolli, instalimin e radarëve të shpejtësisë dhe kamerave monitoruese për përmirësimin e sigurisë rrugore, përditësimin e kamerave ekzistuese dhe instalimin e fibrave optike për lidhje më të mirë me internetin.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është rritja e sigurisë publike dhe përmirësimi i performancës së punonjësve të Policisë, duke instaluar sisteme elektronike për monitorimin dhe kontrollin më të efektshëm të territorit, si dhe ofrimin e informacionit të nevojshëm për parandalimin dhe/ose zgjidhjen e incidenteve. Në lidhje me përfitimet operacionale, eksperti i sigurisë Faik Basha deklaron se “Sistemi Smart ka të bëjë edhe me uljen e krimeve dhe me ardhjen e ndihmës së zjarrfikëses, policisë dhe ambulancës. Kemi parë që ndonjëherë ndihma e shpejtë në aksidente nuk është dhënë në kohë. Me Smart City bëhet shumë më shpejt dhe në një mënyrë shumë më të koordinuar.”
Nga ana tjetër, eksperti IT Edmond Licaj shprehu rezerva: “Me investimin që është bërë në teknologji prej vitesh, ne e kemi kaluar disafish investimin e nevojshëm në fushën e digjitalizimit. Termi Smart City është term iluzionist; kur imagjinojmë Smart City, duhet të ketë një infrastrukturë smart i gjithë qyteti. Duke qenë se në vendin tonë ka shumë probleme të tjera, përdorimi i këtij emri është jashtë realitetit për ne si komunitet dhe mua si individ.”
Një tjetër pikë që ka ngjallur debat është rritja e kostove: projekti fillimisht ishte menduar të kushtonte 60 milionë dollarë, por studimet më vonë nxorën një shifër të dyfishuar. Fusha e veprimit të Smart City-t do të përfshijë edhe arsimin, me instalimin e kamerave inteligjente në shkolla, çka ka hapur debat rreth monitorimit të fëmijëve dhe termit “Big Brother” në qytete.

