Deputetja e re socialiste Marjana Koceku ka zgjedhur me vetëdije të flasë në dialektin geg në Parlament, ndërsa administrata e Kuvendit i zbardh fjalimet e saj në gjuhën standard si detyrim ligjor. Në përgjigje virtuale ndaj kritikave, Marjana këmbëngul në respektimin e dialektit duke e konsideruar “gegnishten standardin e saj”.
Gjuhtarja Mimoza Kore reagon duke vënë në dukje rreziqet e një praktike të tillë në nivelin institucional: sipas saj, nëse 140 deputetë nuk do të flisnin gjuhën e unifikuar, kjo rrezikon të sjellë anarki. Kore thekson se standardi është gjuha e institucioneve shtetërore, e shkencës dhe e shkollës, dhe për këtë arsye Parlamenti, si institucioni më i lartë i shtetit, duhet t’i përshtatet këtij standardi. “Standardi këtë qëllim ka që deputetin ta marr vesh edhe shqiptari në Konispol edhe ai në Shkodër apo në Tropojë. Edhe ku më shumë se kurrë deputetit i duhet të flasë me masën. Ai nuk mund të flas vetëm me 50 familjet e krahinës së vetë. Edhe administrata e ka të qartë që duhet në gjuhën standarde në mënyrë që fjala e deputetit të shkojë te kushdo”, shpjegon Kore.
Kore pranon rëndësinë e dialekteve si bazë të standardit, por argumenton se përdorimi i dialektit në Parlament është i gabuar dhe shkel etikën parlamentare, ndaj kërkon marrjen e masave. Ajo përmend një konflikt të brendshëm socio-gjuhësor: nga njëra anë dëshira për të folur gjuhën e familjes dhe krahinës, dhe nga ana tjetër detyrimi ndaj gjuhës shqipe standarde, të formësuar si tek popujt e tjerë të Europës.
Gjuhëtarja nënvizon edhe zbatimin e stilit zyrtar të komunikimit, duke argumentuar se ka rëndësi se si, me kë, çfarë dhe ku flet dikush. “Nuk mund të flasësh si flet në shtëpi të flasësh edhe në parlament. Deputetët tanë e nisin me zonja/ zotërinj, të nderuar… dhe pastaj rrëshqasin në stile të tjera që i ngjajnë ndonjëherë epitete të rrugës, që nuk i takojnë stilit zyrtar dhe kjo është e papranueshme”, thekson Kore.
Lajmi: Top Channel.

