Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim raportin për Shqipërinë, duke vlerësuar angazhimin e vendit për anëtarësim dhe inkurajuar vijimin e reformave. Raporti përshëndet ambicien për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe progresin e shpejtë të bërë, por thekson nevojën për zbatimin e plotë të legjislacionit.
Korrupsioni paraqitet si shqetësim serioz. Raporti shpreh keqardhje për rënien e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025, në vendin e 91-të, nga vendi i 80-të në 2024, dhe kërkon forcimin e kapaciteteve policore speciale, konsolidimin e rezultateve në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, sidomos në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Mirëpritet miratimi i legjislacionit kundër korrupsionit, përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve dhe rregullat për konfliktin e interesit, dhe bëhet thirrje për zbatimin e plotë të tij. Eurodeputetët kërkojnë garantimin e pavarësisë së SPAK-ut, burimeve të mjaftueshme dhe kapacitetit operacional, pa kufizuar kompetencat hetimore.
Në fushën e sundimit të ligjit, raportohet për përparim në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por theksohen sfida në efikasitetin gjyqësor, zbatimin e vendimeve përfundimtare dhe presionet politike mbi gjyqësorin. Raporti kërkon respektimin e rreptë të procedurave për imunitetin parlamentar dhe zbatimin në kohë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sa i përket procesit zgjedhor, Komisioni dhe OSBE/ODIHR e vlerësojnë kuadrin si përgjithësisht të përshtatshëm, por rikujtojnë shqetësimet për fushën e pabarabartë të lojës, përdorimin e burimeve administrative, financimin e partive dhe pretendimet për blerje votash. Raporti i bën thirrje shumicës dhe opozitës për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Raporti trajton edhe administratën publike, prokurimet, mjedisin, krimin e organizuar, bashkëpunimin rajonal dhe politikën e jashtme. Mirëpret përpjekjet për përafrim me politikën e jashtme të BE-së dhe thekson nevojën për bashkëpunim me Europol/Eurojust për krimin e organizuar. Vlerëson ndihmën e BE-së përmes IPA III dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje, por kërkon që mbështetja të lidhet me rezultate të matshme dhe zbatimin e masave korrigjuese lidhur me parregullsitë e identifikuara nga OLAF në IPARD II. Rezoluta do t’u përcillet institucionet kryesore të BE-së dhe autoriteteve shqiptare.

