Koment nga Timoni.al
Edhe pse bastet sportive janë të ndaluara me ligj në Shqipëri, realiteti në terren tregon një histori tjetër. Nëpër lagje, në lokale të kamufluara si kafene të zakonshme, vijon të funksionojë një industri e tërë paralele, ku paratë qarkullojnë çdo ditë larg syrit të ligjit. Janë para që nuk shkojnë në familje, nuk kthehen në mirëqenie për qytetarët, por përfundojnë në një zinxhir informal fitimesh që ushqehet nga varësia dhe mungesa e kontrollit.
Shumë shqiptarë, në përpjekje për të fituar më shumë, humbasin të ardhurat e tyre në këto pika bastesh ilegale. Dhe ndërkohë që ata largohen me xhepa bosh, dikush tjetër pasurohet. Sipas pretendimeve që qarkullojnë në publik, këto aktivitete nuk funksionojnë të izoluara, por në disa raste thuhet se tolerohen apo mbrohen nga segmente të caktuara të policisë së shtetit.
Në këtë kontekst përmendet edhe emri i Lendi Palajt, i cili sipas këtyre pretendimeve konsiderohet si një nga operatorët më të mëdhenj të basteve ilegale në Tiranë, me dhjetëra pika aktive – në disa raste përmendet shifra rreth 60. Po sipas këtyre zërave, ky aktivitet dyshohet se ka arritur të mbijetojë dhe të zgjerohet falë mbështetjes indirekte që merr nga policia. Lendi Palaj fiton cdo muaj 1.5 milion euro dhe një pjesë të këtyre fitime të paligjshme ia jep shefave të komisariateve dhe drejtorëve të policisë që ata mos ta arrestojnë, tha një burim për portalin Timoni.al
Ky realitet bëhet edhe më kontradiktor në dritën e zhvillimeve të fundit. Prej ditësh, opinioni publik shqiptar po ndjek me vëmendje një seri operacionesh të Policisë së Shtetit kundër rrjeteve të call centerave mashtruese, të cilat kanë zhvatur qytetarë europianë me shuma që përllogariten në dhjetëra miliona euro në muaj. Arrestime, kontrolle, sekuestrime – një aksion i gjerë, i koordinuar me partnerë ndërkombëtarë, që tregon një reagim të fortë institucional.
Por pikërisht këtu lind pyetja: pse ky vendosmëri nuk është parë për vite me radhë ndaj basteve ilegale, që prekin drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë?
Në çdo lagje të Tiranës dhe në shumë qytete të vendit, funksionojnë ambiente të kamufluara, të pajisura me televizione, kompjuterë dhe mjete komunikimi, ku zhvillohen baste sportive, lojëra elektronike dhe forma të tjera të bixhozit. Një sistem i organizuar, që funksionon përmes telefonave, mesazheve dhe konfirmimeve dixhitale, duke shmangur format tradicionale të identifikimit dhe kontrollit.
Arrestimi i fundit i Lendi Palajt e riktheu këtë fenomen në qendër të vëmendjes. Ai u ndalua nga Policia e Tiranës pas një kontrolli në zonën e Xhamllikut, në rrugën “Sadik Petrela”, së bashku me disa persona të tjerë që dyshohet se bashkëpunonin në këtë aktivitet. Sipas informacioneve të bëra publike, skema funksiononte përmes komunikimeve telefonike dhe konfirmimeve të basteve në formë “screenshot”-i – një mënyrë moderne për të operuar jashtë radarit të ligjit.
Megjithatë, ajo që e bën këtë rast më të rëndë janë pikërisht pretendimet që e kanë shoqëruar prej kohësh këtë fenomen. Sipas denoncimeve të ndryshme, përmenden dyshime se rrjete të tilla mund të kenë funksionuar për një kohë të gjatë falë tolerimit apo mosndërhyrjes nga strukturat e policisë së shtetit. Në disa raste, flitet edhe për përfitime të paligjshme mujore në këmbim të lejimit të këtij aktiviteti. Përflitet që shefat e komisariateve marrin 10 mije deri në 20 mije euro në muaj për mos të vepruar bdaj pikave të basteve në Tiranë,që, nëse janë të vërteta, kërkojnë hetim të thellë dhe transparent.
Ky nuk është më vetëm një problem i rendit publik. Është një problem besimi dhe drejtësie.
Sepse për vite me radhë, bastet ilegale nuk kanë qenë të fshehta. Ato kanë qenë të dukshme për këdo. Dhe megjithatë, nuk janë goditur me të njëjtin intensitet si fenomene të tjera kriminale.
Ndërkohë, dëmi social është i madh. Të rinjtë dhe familjet shqiptare janë ndër më të prekurit. Të ardhurat humbasin në një cikël të rrezikshëm varësie, ndërsa përfitimet përqendrohen në pak duar.
Sot, pas aksioneve të fundit dhe arrestimeve që kanë rikthyer vëmendjen tek ky fenomen, lind një shpresë e kujdesshme. Por shpresa nuk mjafton.
Pse policia nuk arrin të ndalojë aktivitetet e basteve ilegale që, sipas perceptimit të shumë qytetarëve, janë të dukshme në çdo lagje?
Pse për vite me radhë flitet për dhjetëra pika bastesh që operojnë të kamufluara, ndërkohë që ndërhyrjet kanë qenë të rralla dhe shpesh të vonuara?
Pse, sipas pretendimeve që qarkullojnë, emra të caktuar – si ai i Lendi Palajt – përmenden si organizatorë të një rrjeti të gjerë, por reagimi institucional duket i kufizuar dhe episodik?
Si është e mundur që aktivitete të tilla, të përhapura dhe të njohura në komunitet, të mos evidentohen dhe goditen në kohë nga strukturat e policisë?
A kemi të bëjmë me mungesë kapaciteti nga policia, apo me diçka më shqetësuese – një klimë tolerance dhe heshtjeje që kërkon hetim të thellë?
Dhe mbi të gjitha: a do të ketë një përgjigje të qartë dhe transparente nga policia e shtetit për këto dyshime që po gërryejnë besimin publik?
Sepse kur qytetarët shohin një realitet dhe institucionet reagojnë ndryshe, lind një hendek i rrezikshëm.
Një hendek që nuk mbushet me deklarata, por vetëm me veprime konkrete.

