Në Armeni, para nisjes së Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian (EPC), Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen theksoi nevojën për një Europë më të pavarur dhe më të fortë strategjikisht, duke përqendruar vëmendjen në tri fusha kryesore: energji, mbrojtje dhe zinxhirët e furnizimit.
Në fushën e energjisë, Von der Leyen nënvizoi se Europa është tepër e varur nga importet e karburanteve dhe, si rrjedhojë, nga tregjet globale të paqëndrueshme. Ajo theksoi nevojën për të rritur burimet brenda kontinentit, duke përmendur energjitë e rinovueshme dhe energjinë bërthamore si alternativa të prodhuara në vend, më të lira dhe më të besueshme që mund të zvogëlojnë varësinë nga importet.
Sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë, Von der Leyen tha se duhet rritje e kapaciteteve ushtarake të BE-së për të qenë në gjendje të mbrojë dhe sigurojë veten. Ajo theksoi se ekzistojnë fonde të konsiderueshme për investime në këtë sektor, por që tani duhet përshpejtim i ritmit të ndërtimit dhe prodhimit të kapaciteteve ushtarake.
Në aspektin e zinxhirëve të furnizimit, Von der Leyen foli për bashkëpunim me vende me mendësi të ngjashme për të siguruar rrjete furnizimi të qëndrueshme dhe të besueshme. Ajo përmendi se Bashkimi Europian ka një rrjet të gjerë marrëveshjesh të tregtisë së lirë dhe referoi përfundimin e një marrëveshjeje me Amerikën Latine, si dhe bashkëpunimet me Indinë dhe Australinë. Von der Leyen tha se do të udhëtojë në Meksikë, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve për sigurimin e zinxhirëve të furnizimit.
Përsa i përket Kinës, Von der Leyen vuri në dukje se ndërlidhshmëria e saj është thelbësore për zinxhirët e furnizimit, me rëndësi të veçantë për lidhjet me Azinë Qendrore. Në këtë kuadër ajo përmendi rolin e rëndësishëm që luan Armenia.

