KF Egnatia njoftoi ndarjen nga trajneri Edlir Tetova, që drejtoi skuadrën për rreth tre vite e gjysmë. Klubi përmendi si arsyet kryesore të vendimit gjendjen shëndetësore dhe stresin e vazhdueshëm të teknikut durrsak, duke e falënderuar për kontributin e dhënë gjatë periudhës së tij në krye të ekipit.
Gjatë drejtimit të Tetovës, Egnatia arriti suksese të dukshme: dy tituj kampioni në Abissnet Superiore dhe një pjesëmarrje historike në kompeticionet europiane, si dhe gjithsej pesë trofe gjatë periudhës në krye të skuadrës. Klubi thekson se nën drejtimin e tij Egnatia u transformua nga një sfidues në një skuadër që dominoi elitën e futbollit shqiptar.
Sipas informacioneve që “Top Channel” mëson, në stolin e kampionëve pritet të ulet Nevil Dede, me zyrtarizimin që pritet të bëhet paraditen e së hënës, pasi kanë mbetur për t’u finalizuar vetëm detajet financiare. 51-vjeçari paraqitet si një nga trajnerët me përvojën më të pasur në futbollin shqiptar. Dede ka drejtuar disa klube të Abissnet Superiores, përfshirë AF Elbasanin, me të cilin fitoi Kategorinë e Parë dhe siguroi ngjitjen në elitë, si dhe Bylisin, ku u emërua në shtator 2024 pas largimit të Emanuel Egbos.
Aventura e tij e fundit sportive ishte te Ferizaj në Superligën e Kosovës, ku drejtoi ekipin për gjashtë muaj e gjysmë, duke luajtur 25 ndeshje në total; në këto përballje ekipi regjistroi 10 fitore, 6 barazime dhe 9 humbje, para se klubi të ndërpriste bashkëpunimin me të më 19 prill. Në rast se emërimi i Dedës zyrtarizohet siç pritet dhe pa ndryshime të fundit, ai do të marrë përsipër misionin më të madh të karrierës së tij: mbrojtjen e titullit kampion dhe vazhdimin e aventurës europiane me kampionët e Shqipërisë.

