Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk arritën të identifikonin një figurë unifikuese për kandidatin e presidentit, duke e detyruar vendin të organizojë zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë. Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku u ka bërë thirrje aktorëve politikë të sigurojnë stabilitet institucional dhe të forcojnë dialogun ndërpartiak për funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi për qytetarët, përfshirë ato nga Plani i Rritjes.
Deputetët e Kuvendit nuk arritën të zgjidhnin president brenda afatit kushtetues dhe, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi u shpërnda më 28 prill. Ushtruesja e detyrës së presidentit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, pas takimit me partitë politike që u zhvillua sot, do të shpallë datën e zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Janë dy data të mundshme: 31 maj dhe 7 qershor.
Natën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tërhoqi dy kandidaturat partiake, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun, dhe pak më vonë prezantoi dy kandidate të tjera, aktiviste për të drejtat e njeriut: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Partitë opozitare nuk morën pjesë në seancën plenare që nisi mbrëmjen e 27 prillit dhe përfundoi në mesnatën e 28 prillit, kurështë edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit.
Kryeministri dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se kishte bërë përpjekje për marrëveshje me opozitën, por pa rezultat. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi të propozojë vetë kandidatin për president dhe u kritikua nga LVV për mungesë transparence. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kundërshtoi idenë që një parti të kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit. Kurti ofroi pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit për LDK, ofertë që u refuzua; një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e konsideroi joserioze dhe pa ftesë zyrtare. Kurti i propozoi PDK-së dhe LDK-së që të propozonin tre emra jopartiakë për president, me mbështetjen e LVV-së, por opozita e refuzoi këtë ide.
Më parë, më 5 mars, LVV kishte nisur seancën për votimin e Konjufcës dhe Kollçakut, por e ndërpreu për shkak të mungesës së kuorumit. Pas një dekreti për zgjedhje të reja nga ish-presidentja Vjosa Osmani, Qeveria e dërgoi çështjen në Kushtetuese, e cila vendosi se deputetët kishin 34 ditë për të zgjedhur pasuesin. Sipas Kushtetutës, presidenti zgjedhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para ose me 61 vota në rundin e tretë; për mbajtjen e seancës nevojiten 80 deputetë në sallë. (REL)















