Hetimet mbi arbitrat vazhdojnë dhe pritet të zgjasin deri në nëntor, çka mund të shtyjë edhe vendimet për penalizime që lidhen me kampionatin 2026/27. Dëshmitë e arbitrave kanë bërë që hetuesit të kuptojnë se ekziston një “sistem Rocchi” brenda AIA, ku caktimet e arbitrazhit rezultojnë të jenë “të pilotuara” ose “manipuluara” për të favorizuar arbitra të afërt, duke ndikuar në avancimin në karrierë dhe përfitime ekonomike.
Sipas një artikulli të “La Repubblica”, një arbitër i ka thënë hetuesve se “pas një përplasjeje të hapur me të, nuk e pashë më Serie A”, dëshmi që ilustron penalizimet karriere për ata që nuk ishin në një linjë me Rocchin. Hetuesit, përmes marrjeve në pyetje, kanë formuluar hipotezën se premtime dhe favorizime janë bërë për t’i rritur vlerësimet e ndeshjeve të disa arbitrarëve.
“Sistemi Rocchi” përfshin edhe praktikën e trokitjeve të famshme në sallën VAR, që sipas prokurorëve ishin të rezervuara për arbitrat më pranë Rocchit, duke u dhënë atyre vlerësime më të larta për të ngjitur shkallët e klasifikimit. Gjithashtu, disa salla VAR në Lissone thuhet të kenë qenë të destinuara posaçërisht për arbitrat që kishin lidhje me ish-dizenjatorin, në mënyrë që ata të ishin më të lehtë të arritshëm.
Rasti i ndeshjeve Bologna-Inter dhe Inter-Milan është përmendur si pjesë e akuzave. “La Gazzetta Dello Sport” raporton se pas seancave të marrjes në pyetje, arbitrat konfirmuan dy akuza ndaj Rocchit lidhur me caktimet për këto ndeshje. Nga dëshmitë rezulton se Colombo ishte i pëlqyer nga zikaltrit, kurse Doveri jo; kjo është një prej pikave që prokurori Ascione duhet të vërtetojë, pra nëse përzgjedhjet janë bërë sipas preferencave të Interit dhe jo mbi bazën e meritokracisë.
Në takimin e 2 prillit 2025 në San Siro, Rocchi ka biseduar me një ose më shumë persona nga bota e arbitrave, por këta persona ende nuk janë identifikuar ndërkohë që janë në shënjestër të Prokurorisë. Mbetet për t’u zbuluar nëse ky takim u rrëfye gjatë marrjeve në pyetje ose nëse u zbulua përmes përgjimeve, çka mund të ketë ndodhur rastësisht gjatë hetimeve të lidhura me krerët e tifozëve ultras të Interit e Milanit.















