Banorët e fshatit Guri i Bardhë në Bulqizë vazhdojnë të përballen me mungesa dhe probleme në furnizimin me ujë, pavarësisht investimit prej 219 milionë lekësh për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit. Prej gjashtë muajsh ata denoncuan në emisionin “Fiks Fare” se nuk kishin furnizim të rregullt, edhe pse projekti ishte raportuar si i përfunduar. Dokumentet zyrtare tregojnë se punimet nisën në prill 2023, me afat 12-mujor dhe garanci dyvjeçare.
Në reagimet e para, drejtuesit e Ujësjellës-Kanalizimeve në Bulqizë fajësuan lidhjet e paligjshme në linjën kryesore dhe premtonin zgjidhje të shpejta. Mirëpo verifikimi në terren i skuadrës së “Fiks Fare” evidentoi se problemi shtrihet më gjerë: vepra e marrjes së ujit (kaptazhi), që furnizon tre fshatra — Guri i Bardhë, Petralba dhe Shkalla — rezulton e amortizuar dhe larg standardeve të sigurisë. Një pjesë e kaptazhit ishte e mbuluar me material tekstili të papërshtatshëm, ndërsa rrethimi me rrjetë teli ishte i dëmtuar.
Kryeplaku i fshatit e përshkruan situatën si alarmante dhe thotë se nuk ka marrë zgjidhje nga institucionet. Përgjegjësit e ujësjellësit në Bulqizë pranojnë se ka dëmtime, por i minimizojnë ato, duke i lidhur me kushtet atmosferike dhe prurjet e shumta të ujit. Ata bëjnë me dije se objekti ndodhet në periudhë garancie, prandaj riparimet do të kryhen nga firma ndërtuese pa kosto shtesë. Gjatë kërkesës për informacion, inxhinieri i kontaktuar i tha gazetares: “Asnjë problem s’ka, je kap pas Gurit të Bardhë, na bezdise. Vjen këtu e kalon kohën.”
Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve mban të njëjtin qëndrim, duke e konsideruar dëmtimin të vogël dhe jo alarmant, dhe garanton ndërhyrje të mëtejshme. Megjithatë banorët mbeten skeptikë dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe zgjidhje konkrete, duke theksuar se një investim publik i tillë nuk mund të përfundojë në një vepër që rrezikon sigurinë dhe shëndetin e tre komuniteteve.















