SPAK relatoi në seancën gjyqësore konkluzionet përfundimtare për një nga fraksionet e dosjes “Revanshi”, që po gjykohet me procedurë të shkurtuar për shkak se të pandehurit akuzohen për sigurim kushtesh për të kryer vrasje. Prokuroria kërkoi në total mbi 127 vite burg për të pandehurit.
Sipas kërkesave të SPAK, për Astrit Avdyli kërkohen 15 vite burg, të cilat me gjykim të shkurtuar konvertohen në 10 vite burg. Për Emiljano Shullazin SPAK kërkon 15 vite burg, me gjykim të shkurtuar 10 vite burg. Për Naim Stafukën kërkohen 9 vite burg, të reduktuar në 6 vite me gjykim të shkurtuar.
Për Xhelal Rrajën, vëllanë e ish-deputetit të PS Rrahman Rraja, SPAK kërkoi 9 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite. Për Gjergj Cukalin, të njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, prokuroria kërkon 10 vjet e 6 muaj burg, ndërsa me gjykim të shkurtuar kërkesa shkon në 7 vite burg.
Për Besian Xhixhën SPAK kërkon 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj burg. Për Enver Divën kërkohen 10 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite e 8 muaj. Po 10 vite burg kërkoi SPAK edhe për Robert Laçin, me konvertim në 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar. Po kaq kërkoi prokuroria edhe për Viktor Imerajn, 10 vite, të reduktuar me gjykim të shkurtuar në 6 vite e 8 muaj.
Për Satilno Bashon SPAK kërkon 10 vite burg. Për Miri Brulin kërkohen 9 vite burg, me gjykim të shkurtuar 6 vite burg.
Në seancën e ardhshme do të bëjnë mbrojtjen avokatët e 12 të pandehurve. Gjykata vendosi që seanca të mbahet më 13 maj, ora 12:00.















