Personi në foto është Kreshnik Mujeci, i cili mbeti i vrarë pasditen e sotme së bashku me bashkëshorten nga një atentat në Lezhë. Në tetor të vitit 2017, Mujeci u arrestua si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Genci Mhillaj në Shkodër. Ai, 30 vjeç në atë kohë, u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.
Sipas gazetares Anila Hoxha, me një vendim të vitit 2018 nga Gjykata e Shkodrës, Mujeci u shpall i pafajshëm lidhur me atë ngjarje, me arsyetimin se nuk provohet që ta ketë kryer veprën për të cilën akuzohej. Automjeti i tij ishte gjetur pak kilometra larg vendit ku u vra Mhillaj, por Mujeci kishte deklaruar se nuk kishte lidhje me vrasjen.
Gjykata theksonte se prova e vetme të parashtruar nga prokuroria si implikuese ndaj Mujecit ishte se makina e tij ishte gjetur e parkuar 2–3 km larg vendit të ngjarjes. Ajo e konsideroi këtë provë të pamjaftueshme dhe si një indicie tejet periferike, duke mos arritur nivelin e provës bindëse për fajësinë. Nga analiza e dëshmisë së shtetasit M.M rezultonte se i pandehuri shpeshherë kishte shkuar dhe kishte pirë kafe tek lokali pranë dëshmitarit dhe e kishte parkuar makinën edhe më parë në atë vend. Në këto kushte, gjykata vlerësoi se fakti se makina ishte gjetur aty në rastin konkret nuk e përbënte një provë të qëndrueshme për fajësinë e tij.
Gjithashtu, sipas vendimit, Mujeci kishte shpjeguar versionin e ngjarjes: pasi kishte mësuar nga lajmet se kushëriri i tij Jozefi kishte kryer një vrasje, ai e kishte vlerësuar të arsyeshme, për shkak të mundësisë së hakmarrjes, të mos lëvizte nga vendi ku po qëndronte; po ashtu kishte vepruar në përputhje me këtë edhe rreth përdorimit të makinës. Teksti i vendimit përmend këto shpjegime si pjesë të arsyetimit të gjykatës. Top Channel.















