Mëngjesin e sotëm në Kuvendin e Kosovës janë mbajtur homazhe në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 89-vjeçare. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shkruar në librin e zisë të hapur për akademikun.
Rexhep Qosja lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e para të shkollës fillore i kreu në Vuthaj, ndërsa gjysmëmaturën në Guci. Në vitin 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, dhe më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, nga ku doli i diplomuar në 1964.
Në vitin 1967 u pranua si asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, dhe gjatë viteve akademike 1967/68 specializoi shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik, ndërsa në 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, në 1972 u zgjodh bashkëpunëtor i lartë dhe më vonë këshilltar shkencor në të njëjtin institut, si dhe profesor inordinar e më pas profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.
Qosja ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik nga viti 1972 deri më 1981, shef i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik për shumë vite, dhe gjatë viteve 1974-1975 kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.
Si autor, është nënshkrues i mbi tridhjetë librave, përfshirë studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane, drama, publicistikë dhe shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa dhe studime në revista shkencore e letrare, trajtuar çështje të letërsisë shqipe dhe krijimtarisë letrare; disa nga veprat e tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Për krijimtarinë e tij është çmuar me disa vlerësime: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës (1968), Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit (1969), dy shpërblime të SHSH të Kosovës (1972, 1974), Shpërblimin e RS të Serbisë “7 Korriku” (1975), dhe Çmimin “Pjetër Bogdani” (2010) për romanin Bijt e askujt, ndër të tjera. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998–2000 ka drejtuar një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000, kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.















