Në një takim në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, udhëheqja e Këshillit Shqiptaro-Amerikan për Marrëdhënie (AARC) shfaqi shqetësime serioze për gjendjen në Maqedoninë e Veriut gjatë bisedimeve me zyrtarin David M. Maher, përgjegjës për çështjet e këtij vendi. Takimi u zhvillua në një moment të tensionuar, pasi protestat e studentëve të drejtësisë kanë nxjerrë në pah, sipas AARC, një krizë më të thellë: erozionin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve dhe cenimin sistematik të frymës së Marrëveshjes së Ohrit.
AARC paralajmëroi se debati publik në Shkup po mbahet të qëllimshëm brenda një labirinti teknik e semantik, ku diskutimet për dispozitat e ligjit të gjuhëve, opinionet e Komisionit të Venecias, mekanizmi i Balancuesit, çështjet e zbatimit dhe propozimet për ndryshime legjislative e fshehin qëllimisht çështjen thelbësore. Këshilli theksoi se Marrëveshja e Ohrit nuk ishte vetëm një dokument juridik, por një pajtim historik midis dy popujve për të ndërtuar një shtet të përbashkët si bashkëthemelues të barabartë, dhe se “sot, ajo frymë është nën sulm të drejtpërdrejtë”.
AARC ngriti pyetjen kyçe që, sipas tij, Shkupi po përpiqet ta fshehë: a janë shqiptarët bashkëthemelues të barabartë në shtet, apo një popull që thjesht duhet toleruar? Për Këshillin, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk është çështje akademike, por testi përfundimtar për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Tendencat e fundit — nga rezistenca institucionale ndaj zbatimit të ligjit të gjuhëve deri te retorika gjithnjë e më e ashpër antishqiptare — tregojnë, sipas AARC, se ky test po dështohet.
Përfaqësuesit e AARC paralajmëruan se nëse “fryma e Ohrit zëvendësohet nga logjika e tolerimit, atëherë vendi po largohet nga trajektorja e tij euroatlantike”. Takimi në Departamentin e Shtetit vjen ndërkohë që pritet një rritje e vëmendjes së Uashingtonit ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe kur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kërkojnë garanci konkrete — jo premtime — që statusi i tyre si bashkëthemelues i shtetit të mos jetë më temë negociatash politike në Shkup.















