Në 1976 Prof. Hamit Boriçi, atëherë pjesë e Institutit të Letërsisë dhe Gjuhësisë, nisi një studim mbi shtypin arbëresh që mbeti përgjysmë. Pas rreth 50 vitesh, ky studim, i vijuar dhe përfunduar në bashkëpunim me Jolanda Lilën nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, u botua. Kërkimi rrëzon tezën se gazeta “L’Albanese D’Italia” është gazeta e parë shqiptare, duke e paraqitur atë më shumë si paralajmëtare të gazetarisë shqiptare sesa si fillimin e saj.
Libri me titull “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme” ndjek zhvillimin e shtypit arbëresh që nga gjysma e parë e shekullit XIX, dhe argumenton se ky shtyp ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës arbëreshe, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun e vendlindjes shqiptare. Boriçi thekson se libri është vetëm një pjesë e materialit të madh që disponojnë: “Edhe ky libër është i vogël përballë materialit që kemi përpara. Deri më tani kemi pasur mendimin që gazetaria shqiptare ka filluar prej arbëreshëve, por tani del që nuk ka filluar prej tyre, por prej individëve. Janë disa gazeta që janë brumë që ne akoma nuk e kemi studiuar dhe shpresoj që kolegia ime ti vijojë.”
Autore e studimit, Dr. Jolinda Lila, shkruan se publicistët e parë arbëresh lindin nga mjedisi ku jetonin dhe përmend Napolin si një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike ku lulëzoi gazetaria arbëreshe dhe ku pati ndikim në historinë e shtypit italian. Ajo referon botimet e De Radës në revistën “Omnibus”, me disa poezi të tij të vitit 1835.
Vepra u promovua në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë. Prof. Akad. Artan Fuga vlerësoi se, ndryshe nga shtypi që mbështetet te njoftimet e vogla, ky libër tregon një shtyp që shpalos një platformë kombëtare dhe e quan atë “shtyp i kauzës”, duke ngritur pyetjen për rolin e gazetarit në shoqëri. Prof. Dr. Mark Marku e vlerësoi kërkimin shkencor të Profesor Hamitit dhe kontributin e tij të gjerë.
Libri pasqyron edhe gjendjen e sotme të shtypit arbëresh, ku si periodikë përmenden revistat “Katundi ynë”, “Jeta arbëreshe” në format online dhe dy buletinë fetarë. Burimi: Top Channel.















