Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, në Kongresin Ndërkombëtar të Federatës Shqiptare të Gjinekologëve dhe Obstetërve vuri në pah se shëndeti i gruas mbetet prioritet kombëtar, me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e familjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ajo theksoi nevojën për përmirësim të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe për garantimin e aksesit të barabartë për të gjitha gratë, duke adresuar pabarazitë mes zonave urbane dhe rurale dhe ndër grupe të ndryshme sociale.
Politikat shëndetësore sipas ministres janë të orientuara drejt forcimit të kujdesit të integruar për nënën dhe fëmijën, rritjes së aksesit në shërbime cilësore, standardizimit të praktikave klinike në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare dhe investimeve të qëndrueshme në infrastrukturë dhe burime njerëzore. Një vëmendje e veçantë iu kushtua programeve të kujdesit antenatal, depistimit për patologjitë më të shpeshta dhe forcimit të shërbimeve neonatale si elementë kyç për uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë amtare dhe neonatale.
Duke diskutuar sfidat aktuale, ministrja theksoi nevojën për një qasje më të avancuar dhe të integruar, përmes përdorimit të teknologjive të reja, rritjes së kapaciteteve profesionale dhe zhvillimit të qendrave të specializuara. Ajo nënvizoi rëndësinë e vendimmarrjes së bazuar në evidencë dhe bashkëpunimit me profesionistët, duke përshkruar kongresin si një shembull ku shkenca dhe politika bashkëveprojnë: “Qeverisja moderne në shëndetësi kërkon vendimmarrje të bazuar në evidencë dhe partneritet të ngushtë me profesionistët, duke vlerësuar këtë kongres si një shembull konkret ku shkenca dhe politika bashkëveprojnë për zhvillim dhe qëndrueshmëri.”
Ministrja njoftoi nisjen e projektit PRISMA, pjesë e programit MATHERNA, që realizohet ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë: Qeverisë së Italisë, Rajonit të Lombardisë, Autoritetit Lokal Shëndetësor Fatebenefratelli Sacco (ASST) dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim për Zhvillim. Projekti u prezantua si një shembull i bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore. (Top Channel)















