Një 30-vjeçar është kanosur për t’i dhënë 30,000 euro dhe i është marrë automjeti nga tre shtetas, të cilët dyshohet se kishin armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Vlorë. Pas kallëzimit të viktimës, Prokuroria e Vlorës ngriti një grup të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorët.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Seksionin Operacional, organizuan operacionin policor të koduar “Strike”. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikuan dhe u arrestuan tre autorët e dyshuar: A. G. (26 vjeç), M. B. (22 vjeç) dhe M. H. (29 vjeç), të gjithë banues në Vlorë.
Hetimet tregojnë se, në lagjen “Pavarësia”, autorët kanosën 30-vjeçarin K. S. për t’i marrë paratë dhe më pas i morën automjetin tip “BMW” para se të largoheshin. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.















