Me ftesë të Ambasadores së Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në prezantimin e Programit të Bashkëpunimit Zviceran 2026–2028. Gjatë fjalës së saj, Spiropali nënvizoi asistencën e vazhdueshme të qeverisë zvicerane në fusha kyçe, si demokratizimi, forcimi i institucioneve dhe përmirësimi i shërbimeve publike.
Ajo theksoi se programi i mëparshëm, i cili do të zbatonte në periudhën 2022-2025, përfshinte katër shtylla kryesore: qeverisjen e mirë, zhvillimin ekonomik dhe punësimin, infrastrukturën e shërbimeve, dhe shëndetësinë. Këto shtylla mbështetën axhendën e reformave të Shqipërisë dhe ndikuan drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke ndihmuar sipërmarrësit për të gjetur financim, përmirësuar shërbimet publike dhe ofruar mundësi për të rinjtë.
Spiropali vuri në dukje rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies në këtë partneritet. Ajo e konsideroi këtë standard si një garanci për menaxhimin e fondeve dhe një “shkollë” për institucionet shqiptare. Ajo shprehu besimin se Programi i ri do të ofrojë mbështetje të rëndësishme për Shqipërinë, veçanërisht në kontekstin e avancimit të saj drejt Europës, me objektiva të qarta për vitet 2027 dhe 2030.
Ministrja e Jashtme theksoi se Zvicra do të vazhdojë të jetë një partner kyç për Shqipërinë, duke u lidhur edhe me komunitetin shqiptar në Zvicër, që numëron rreth 250 mijë individë. Ajo përmendi prioritetet e qarta të Shqipërisë në këtë kapitull të ri bashkëpunimi, të cilat përfshijnë dialogun politik dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike.
Spiropali shprehu angazhimin për të thelluar bashkëpunimin, duke promovuar investimet dhe identifikuar fusha të reja bashkëpunimi, si inovacioni, siguria kibernetike dhe turizmi. Ajo përfundoi duke përshëndetur Programin e Bashkëpunimit 2026-2028 si një fillim të rëndësishëm për një bashkëpunim më të ngushtë në të ardhmen.















