Në verën e këtij viti, pas një zvarritje prej 15 vitesh dhe një vlere prej 400 milionë dollarësh, më në fund u inaugurua rruga Qukës – Qafë Plloçë. Disa firma u shpërblyen për “punë të mirë”, madje morën disa herë shtesa kontratash apo fituan tenderat e rrugëve lidhëse.
“Dorën” e fundit e dha kompania 2T, me lidhje të forta me qeverinë. Një nga dy pronarët e firmës është Artan Sako, vëllai i kryetarit të zgjedhur së fundmi të Bashkisë së Tepelenës, Gramoz Sako. Më parë, Gramozi ka qenë edhe Komandant i Gardës së Republikës dhe njihet si një nga mbështetësit më mazhorancës.
Krahas ngritjes në detyrë të ushtarakut, firma 2T e vëllait të tij ka gllabëruar miliona euro fonde publike, për punë kryesisht në jug të vendit. I tillë është edhe tenderi i radhës që ka marrë, atë të mirëmbajtjes së rrugës Qukës – Qafë Plloçë.
VoxNews shfletoi dokumente të reja dhe të vjetra, madje edhe postime të institucioneve shtetërore, të cilat vetëm sa përforcojnë idenë se tenderi ka qenë i paracaktuar për të shkuar te firma 2T.
Por, le t’i marrim me radhë!
Lexoni me vëmendje njoftimin e Bashkisë së Pogradecit, i dhënë në datën 20 gusht 2025. “Loti i fundit i rrugës ‘Qukës – Qafë Plloçë’ prej 9.3 km është gati në përfundim. Inxhinerët e kompanisë 2T bëjnë me dije se këtë të shtunë asfaltohen
400 metrat e fundit të mbetura. Momentalisht rruga është e aksesueshme për të gjitha llojet e mjeteve, ndërsa me përfundimin më pas të gjithë sinjalistikës vertikale dhe horizontale do të bëhet njoftimi zyrtar për hapjen e të gjithë aksit (43 km) për automjetet” shkruante Bashkia e Pogradecit.
Pavarësisht se s’kishte ndonjë njoftim për fituesin e lotit 3, punimet e së cilit zgjatën pafundësisht dhe u lanë në mes, “dora” e fundit u dha nga firma 2T, e familjes Sako. Vlera totale e ndërtimit shkoi në rreth 400 milionë euro, teksa aktualisht rruga është e hapur dhe në lotin e tretë vijojnë të kryhen punime.
Në datën 19 nëntor 2025, një ditë para se Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve Gentian Gjyli të njihej me masën e sigurisë “arrest shtëpie” për abuzime me detyrën, ai ka bërë edhe nderin e fundit. Tenderi i mirëmbajtjes së rrugës së florinjtë iu dha 2T-së, pavarësisht se s’kishte ofertën më të ulët.
Fondi limit ishte 31.8 milionë lekë, ose rreth 320 mijë euro. Firma “Rej” e familjes Kapri ka ofruan 24 milionë lekë. Firma fituese e Sakove kanë ofruar 29 milionë lekë. Dukshëm shumë herë më tepër sesa Kaprit.
Në tender kanë marrë pjesë edhe firma të tjera, sërish me oferta më të ulëta sesa Sakot. Alb-Building ka ofruar 26 milionë lekë, Deltarex 23 milionë, RSM ka ofruar madje 21 milionë lekë.
Pra, ka fituar oferta me vlerën më të lartë! A nuk ishte i paracaktuar ky tender?! Firma 2T vijon të punojë në lotin e tretë, u zgjodh me procedurë të dyshimtë për të vijuar punimet, e tashmë fiton edhe tenderin e mirëmbajtjes. Diçka vjen erë në këtë tender, pasi Gjyli ka skualifikuar të gjitha procedurat vetëm e vetëm që t’i jepte tenderin Sakove. Një dosje tjetër e SPAK-ut?!
Por, krahas paracaktimit të fituesit, duket se Sakot kanë bërë edhe një autogol në dokumente. Ata shkruajnë se për të mirëmbajtur rrugën e re, që ende s’e kanë përfunduar, do të mbështeten nga kompania APIS.
Në fakt, pas pronarëve të firmës në fjalë, janë vetë Sakot, duke hedhur hije të tjera dyshimi se tashmë ata janë bërë të preferuarit e mazhorancës në punët publike. Por, pas masës ndaj ministres Balluku apo pas arrestit shtëpiak të Gjylit, a do të vijojnë të marrin tendera?!/Voxnews














