ITALI– Një shpërthim tronditi mbrëmjen e së enjtes zonën e Campo Ascolano, në Pomezia, pranë Romës. Dy automjete, njëri në pronësi të gazetarit të njohur italian Sigfrido Ranucci, dhe tjetri i vajzës së tij, u përfshinë nga flakët pas një shpërthimi të dyshuar me eksploziv. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua, por ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në opinionin publik italian.
Sipas hetimeve paraprake, shpërthimi ndodhi rreth orës 22:00, përpara banesës së Ranuccit. Ai kishte mbërritur pak çaste më parë, ndërsa vajza e tij ishte futur në shtëpi vetëm disa minuta para shpërthimit. Autoritetet italiane, përfshirë karabinierët dhe njësinë speciale DIGOS, kanë nisur hetimet për të zbuluar autorët dhe motivet e mundshme të atentatit.
Kush është Sigfrido Ranucci
I lindur më 24 gusht 1961 në Romë, Sigfrido Ranucci është një ndër figurat më të rëndësishme të gazetarisë investigative italiane. Ai ka diplomë në Letërsi Italiane në Universitetin “La Sapienza” dhe ka nisur karrierën në gazetën Paese Sera, për t’u bashkuar më vonë me TG3 të Rai-t, ku raportoi nga zonat e konfliktit në Ballkan dhe Lindjen e Mesme.
Ranucci është autor i disa hetimeve të bujshme mbi trafikimin e mbetjeve toksike, korrupsionin politik, lidhjet me mafien, dhe shkeljet e të drejtave të njeriut. Një nga raportimet e tij më të njohura është dokumentari mbi përdorimin e fosforit të bardhë në qytetin irakian të Fallujah, që shkaktoi debat të madh ndërkombëtar.
Që nga mars 2017, ai është drejtues dhe prezantues i programit investigativ “Report” në Rai 3, i cili konsiderohet një nga emisionet më të guximshme dhe më të ndjekura në Itali, pasuar nga miliona shikues çdo javë.
Për shkak të natyrës së hetimeve që trajton, Ranucci prej vitesh jeton nën mbrojtje policore, duke u bërë simbol i rezistencës së gazetarisë së lirë ndaj kërcënimeve dhe presioneve.
Një zë i fortë kundër korrupsionit
Sigfrido Ranucci përfaqëson brezin e gazetarëve që nuk ndalen përballë kërcënimeve. Emisioni i tij Report ka ekspozuar skandale që kanë përfshirë biznesmenë, politikanë dhe struktura mafioze. Ranucci ka zhvilluar disa investigime me shumë interes edhe në Shqipëri. Ndër to është hetimi mbi marrëveshjen Rama–Meloni për strehimin e të burgosurve në kampet në Shëngjin dhe Gjadër, ku “Report” analizoi aspektet politike e financiare të kësaj marrëveshjeje të diskutueshme mes Romës dhe Tiranës.















