Opinion nga Timoni.al
Qeveria e katërt e Edi Ramës ka shpallur një valë të re reformash ligjore, ku ndër më të zhurmshmet është “çlirimi i hapësirave publike” nga “tokat e xanuna”. Në letër, ideja tingëllon fisnike: të mbrosh territorin nga zaptimi, të kthesh pronën publike tek publiku, të ndalosh ndërtime pa leje dhe të vendosësh rregull. Por në praktikë, realiteti është krejt tjetër: qeveria mbyll sytë përpara grabitjes industriale të bregdetit nga oligarkë si Samir Mane, ndërsa sulmon me zell të paparë familjet e varfra të veriut që mbijetojnë duke ndërtuar një dhomë a një bujtinë në token e tyre, për të ushqyer fëmijët me turizmin malor.
Hipokrizia e një shteti që sheh vetëm ku i do interesi
Nëse do të kishe ndërtuar sot një kasolle druri pa leje në Theth, do të të vinte Inspektorati Kombëtar i Territorit, Policia Bashkiake, do të të prishnin ndërtimin, do të të gjobitnin dhe do të të quanin “uzurpator”. Por kur në Palasë, një nga bregdetet më të bukura dhe më të virgjëra të vendit, ndërtohen vila luksoze mbi prona të grabitura me falsifikime skandaloze – shteti nuk sheh, nuk flet, nuk prish. Përkundrazi: e shpall investim strategjik dhe i jep mburojë ligjore grabitqarit më të madh.
Rasti i Green Coast, resortit gjigand të Samir Manes, është fotografia më e qartë e pabarazisë para ligjit. Dosjet tregojnë qartë: pronat janë tjetërsuar me letra të falsifikuara, janë përvetësuar me vendime gjykatash të dyshimta, janë transferuar nga fshatarë të ndershëm tek emra pranë grupit Balfin dhe njerëz me rekorde kriminale. Kur Prokuroria filloi të gërmonte, gjykatat u kujdesën që të mbyllnin çështjet me “parashkrime”. Sot, në tokën e grabitur ngrihen vila që shiten me qindra mijëra euro, ndërsa banorët e vërtetë bredhin dyerve të drejtësisë si lypsarë.
Pse nuk flet Edi Rama?
Sepse Edi Rama e ka ndërtuar pushtetin mbi një aleancë të heshtur me oligarkët. Samir Mane nuk është thjesht një biznesmen: ai është bashkëpunëtori strategjik i qeverisë, financues i fushatave, “zgjidhësi” i shumë hallve që nuk kalojnë dot nga dera e ligjit. Rama e di mirë se çfarë ka ndodhur në Palasë. Dokumentet janë aty, dëshmitë janë aty, madje i ka pasur edhe mbi tavolinë që në vitin 2014, kur firmosi lejen për resortin “Green Coast”. Por asokohe, e mbylli gojën dhe e quajti “zhvillim”. Këtë zhvillim e paguajnë me plazhet e humbura, me bukurinë e prishur, dhe me pronat e grabitura ata që sot ndoshta nuk kanë më as para të paguajnë një avokat.
Në çdo dalje publike, Edi Rama e luan rolin e reformatorit të madh që po lufton “tokat e xanuna”, abuzimet me territorin dhe ndërtime pa leje që gjoja po e mbysin Shqipërinë. Fjalët e tij janë të mëdha, ligjet e reja premtojnë kontroll, gjoba, shembje, ndëshkim. Por ka vetëm një problem: të gjitha këto masa bien si çekan mbi të varfrit, mbi banorët e maleve, mbi fshatarët që kanë trashëguar një copë tokë nga gjyshi e duan të mbajnë gjallë fëmijët me një bujtinë apo një dhomë të shtuar mbi shtëpinë e vjetër. Ndërkohë në jug, aty ku toka nuk është një dynym malor por qindra mijëra metra katrorë bregdet të artë, shteti i Edi Ramës shndërrohet në avokat personal të megaoligarkëve.
Hipokrizia e një qeverie që bën moral me kasollen e fshatarit, por jo me vilat e Manes
Të shembësh një kasolle në Theth është kollaj. Fshatari nuk ka parti, nuk ka media, nuk ka studio televizive, nuk ka avokatë me emër që ta mbrojnë. Një urdhër prishjeje dhe një inspektor i bindur mjafton. Ndërsa të prekësh një metër katror të resortit të Samir Manes në Palasë është e pamundur. Sepse pas gardhit të “Green Coast” fshihet jo vetëm një biznesmen me pasuri marramendëse, por edhe një skemë e tërë pushteti, korrupsioni dhe pastrimi parash që mban në këmbë financat e politikës. Nga vila e Arben Ahmetajt e deri tek investitorët e dyshimtë me dosje penale – të gjithë e kanë gjetur strehën aty. Dhe nuk është rastësi që Rama e quan “investim strategjik”. Nuk ka asgjë strategjike aty, përveç strategjisë për të plaçkitur pronat publike dhe private, duke mbuluar hajdutërinë me firma dhe vula qeveritare.
Një histori grabitjeje e legalizuar nga shteti
Dokumentet janë të qarta: prona në Palasë është marrë nga familje që e trashëgonin prej dekadash. Falsifikimi është i hapur: nga 3 dynym u bënë 210 dynym, nga një certifikatë fshati u bënë kontrata milionëshe. Prokuroria e Vlorës i zbuloi këto mashtrime qysh herët. Por dosjet u mbyllën me vendime të dyshimta, dëshmitarët u lanë në dyert e prokurorisë dhe resorti u ngrit. Dhe sot, këto prona të grabitura janë kthyer në vila që i shiten oligarkëve, politikanëve, klientëve të pushtetit – si një lavatriçe e madhe për para të pista. Dhe Edi Rama, që sot na flet për “reformë territoriale”, jo vetëm që nuk i ndali këto afera, por i firmosi me dorën e tij, duke i veshur me aureolën “strategjike” për të heshtur çdo debat dhe çdo pronar që kërkon të drejtën e vet.
Në jug nuk shembet asgjë, në veri shembet gjithçka
Ironia është e qartë për këdo që ka sy të shohë: në Theth, një fshat që jeton me dy muaj turizëm në vit, një banor që ndërton një dhomë shtesë, shpallet kriminel. Për atë shteti bën ligj të ri, nxjerr inspektorë, polici, fadroma. Sepse nuk ka para, nuk ka aleatë, nuk ka asnjë oligark që ta mbrojë. Por në Palasë, ku familje të tëra kanë humbur trashëgiminë sepse disa kriminelë lokalë falsifikuan dokumentet, shteti jo vetëm që nuk i ndihmon, por i kërcënon t’u japin dorën grabitqarëve për “marrëveshje bashkëpunimi”. Nëse nuk dorëzohesh, mbetesh pa tokë. Nëse dorëzohesh, merr një përqindje qesharake dhe humbet pronën përgjithmonë.
Ky nuk është thjesht abuzim. Ky është një krim i organizuar i mbrojtur nga shteti.
Samir Mane, simbol i një republike të privatizuar
Pse nuk flet Edi Rama për Palasën? Sepse aty nuk është problemi i një “prone të xanun”. Aty është modeli i tij i pushtetit. Samir Mane nuk është biznesmen që konkuron në treg. Ai është simboli i një republike të kapur, ku disa individë kontrollojnë gjithçka: tokat, resortet, rrjetet e supermarketeve, qendrat tregtare, deri te energjia dhe minierat. Qeveria nuk është më arbitër mes qytetarit dhe kapitalit. Qeveria është partneri i kapitalit kundër qytetarit. Sot është Green Coast. Nesër mund të jetë çdo bregdet tjetër. Pasnesër mund të jetë prona jote.
Një pyetje e thjeshtë: Kujt i përket Shqipëria?
Kur Rama ngre gishtin kundër banorëve të Thethit dhe flet për “tokë të xanun”, duhet ta pyesim: kush e ka xanun Palasën? Pse nuk e nxjerr fadromën aty? Pse nuk shkon me inspektorë te vila e Ahmetajt? Pse nuk sheh vilat e politikanëve që janë fshehur pas “investimeve strategjike”? Sepse aty janë votat, paratë, pushteti. Aty është kanceri i vërtetë që e mban këtë vend peng.
Nëse nuk shemb Green Coast-in, mos na shemb kasollet e Thethit
Kjo është thelbi: nuk mund të ketë shtet për kasollen e varfërit dhe biznes privat për vilën e të pasurit. Ose ligji vlen për të gjithë, ose nuk është ligj, por një shfaqje cinike për të mbuluar hajdutërinë e vërtetë. Nëse Edi Rama do të kishte sinqeritet për të pastruar territorin, do ta niste nga Palasa. Do të kthente tokën te familjet Nina, Ruci, Duni, Bifsha. Do të kërkonte llogari për falsifikuesit, gjykatësit, noterët dhe oligarkët që u bënë bashkë për të grabitur bregdetin më të bukur të Shqipërisë.
Por Rama nuk ka ndërmend ta bëjë këtë. Sepse në këtë pazar, ai nuk është arbitri, por garantuesi. Dhe Samir Mane nuk është një oligark mes të tjerëve. Ai është fytyra e vërtetë e një shteti të shitur – një shtet ku vila e pushtetarit mbrohet me polici dhe fadroma shkojnë vetëm te shtëpia e të varfrit.
Shqipëria nuk mund të quhet më tokë e lirë, nëse bregdeti u falet disa të fortëve, ndërsa malet i zbrazen fshatarëve.