ELBASAN- Tre masa sigurie “arrest në burg” dhe një masë “arrest në shtëpi” janë ekzekutuar në kuadër të operacionit policor “Bankrupt” në Elbasan. Në pranga janë vënë Algert Kau, Giuseppe Lamachia dhe Zyhra Kreci.
Katër të ndaluarit nga policia akuzohen se kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet. Lidhur me këtë policia ka vënë nën sekuestro 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Policia vijon me hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në kuadër të operacionit “Bankrupt”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Elbasanit, dhënë më datë 02.06.2025, për:
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për:
shtetasin A. K., 40 vjeç, i cili u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë;
shtetasin italian G. L., 60 vjeç, i cili u kap në PKK Rinas, në dalje të Shqipërisë;
shtetasen Z. K., 27 vjeçe, të tre me detyrë administratorë subjektesh;
-caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen E. S., 31 vjeçe, me profesion ekonomiste, të katërt për veprat penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Falimentimi i provokuar”, “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Fshehja e të ardhurave”;
-vënien e sekuestros preventive mbi 7 subjekte (fasoneri) dhe 12 llogari bankare të tyre.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë bashkëpunuar për çuarjen në gjendje falimenti, 7 fasoneri, për të shmangur taksat dhe tatimet.
Vijojnë hetime për të identifikuar dhe nxjerrë para përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.