Çlirimi i Beratit më 13 shtator 1944, i përshkruar si një nga betejat më heroike të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe si një kthesë vendimtare në luftën për çlirimin e Shqipërisë, u përkujtuar sot në 82-vjetorin e tij me homazhe dhe nderime në Varrezat e Dëshmorëve. Ceremonitë u zhvilluan për të kujtuar ata që ranë në betejat për çlirimin e qytetit dhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë ministri i Brendshëm dhe ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, drejtues të pushtetit vendor, veteranë, familjarë të të rënëve, përfaqësues të policisë, deputetë dhe qytetarë. Nën tingujt e Bandës Frymore të qytetit u vendosën kurora dhe buqeta me lule në lapidarin kushtuar dëshmorëve, në hyrje të Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, si shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tyre.
Pas ceremonisë u krye rivarrimi në Varrezat e Dëshmorëve i Agron Elezit. Agron Elezi, nga fshati Mbolan i Beratit, ndërroi jetë gjatë tërmetit në vitin 1967, kur ishte ushtar në kufi të vendit, dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut” në vitin 2024.
Në fjalën e tij, ministri Ervin Demo vlerësoi datën 13 shtator si një ditë të shënuar për qytetin e Beratit: “13-shtatori është një ditë e shënuar për qytetin e Beratit, një ditë që na kujton sakrificën e të gjithë atyre dëshmorëve që dhanë jetën për çlirimin e qytetit”. Ai shtoi: “Ne, jo vetëm që duhet të jemi mirënjohës për sakrificën e të parëve tanë, por duhet edhe të bëjmë çmos që brezat që do të vijnë të njohin historinë e qytetit dhe sakrificën e dëshmorëve”. Një mesazh urimi pati edhe kryebashkiaku i Beratit, Ervin Ceca.
Në betejën për çlirimin e qytetit më 13 shtator 1944 u angazhuan partizanë të brigadës VII sulmuese dhe batalionet partizane që vepronin në qarkun e Beratit. Njësi partizane u vendosën në pikat dominante të qytetit, përfshirë kodrën e Shën Thanasit, Kala, Goricë, Vakëf, Uznovë dhe lagjen “Murat Çelebi”. Në këtë betejë mbetën 23 dëshmorë dhe u plagosën 30 të tjerë. Nga Berati dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare rreth 225 dëshmorë.

