Milani po ndjek me vendosmëri sulmuesin brazilian Endrick dhe po përgatit një ofensivë konkrete për ta sjellë në Serie A që në merkaton e janarit. Pas një tentative fillestare verën e kaluar, drejtuesit kuqezinj kanë intensifikuar kontaktet me Realin e Madridit dhe me agjentin e tij, duke e informuar për vullnetin për ta blerë përfundimisht. Për momentin, Roma qëndron në pritje të zhvillimeve.
Sipas Cadena Ser dhe TNT Sports Brazil, oferta e Milani përbëhet nga një total prej 70 milionë eurosh: 60 milionë si vlerë fikse dhe 10 milionë në formën e bonuseve të caktuara. Sa u përket pagës, kuqezinjtë janë gati t’i ofrojnë një pagë më të lartë se ajo që Endrick përfiton aktualisht te Real Madridi, ku merr 3.2 milionë euro në sezon.
Nga ana e Realit, presidenti Florentino Perez nuk dëshiron të humbasë krejtësisht kontrollin mbi të ardhmen e talentit. Kërkesa e klubit madrilen parashikon përfshirjen e një klauzole rikthimi të kartonit në shifrën 80–85 milionë euro, e vlefshme për dy vjet, së bashku me të drejtën e parablerjes në rast se klube të tjera bëjnë oferta në të ardhmen. Këto kushte synojnë të ruajnë mundësinë e një rivendosjeje të situatës nga ana e Realit brenda një periudhe të përcaktuar.
Pengesa kryesore për realizimin e një transferimi në janar është trajneri Jose Mourinho, i cili e sheh Endrick si një element të rëndësishëm për rotacionet sulmuese të Realit. Mourinho vlerëson intensitetin dhe sjelljen e tij gjatë seancave stërvitore dhe nuk dëshiron ta privojë ekipin nga shërbimet e tij pa pasur nga ana tjetër një zëvendësues adekuat. Ndërsa klubi madrilen këmbëngul në kushte që të ruajnë ndikimin e tij, Endrick vetë po shqetësohet për aktivizimin e pakët, duke pasur parasysh edhe ambiciet e tij për të qenë në përfaqësuesen braziliane.
Në ditët në vijim, përfaqësuesit e lojtarit do të mbërrijnë në Madrid për të diskutuar me drejtuesit e klubit situatën e futbollistit, çka mund të përcaktojë edhe drejtimin që do të marrë tratativa midis Milanit dhe Realit.

