Në Shqipëri mbi 65 mijë qytetarë janë vetëdeklaruar si pjesë e pakicave kombëtare, ku komuniteti më i madh është ai grek me 23.485 banorë, sipas raportit për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0 të hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe të paraqitur në Kuvend nga deputetët socialistë. Nga 2.402.113 banorë të regjistruar, 2.186.917 janë deklaruar me përkatësi etnike shqiptare. Pas pakicës greke, komunitetet më të mëdha janë ai egjiptian me 12.375 banorë, rom me 9.813, bullgar me 7.057, boshnjak me 2.963, arumun me 2.459, maqedonas me 2.281, serb me 584 dhe malazez me 511 banorë.
Raporti evidenton gjithashtu se për 134.451 persona nuk ka të dhëna të disponueshme për përkatësinë etnike, ndërsa 13.507 kanë zgjedhur të mos përgjigjen. Dokumenti thekson se reforma e re administrativo-territoriale nuk duhet të bazohet vetëm në tregues ekonomikë, financiarë apo demografikë, por duhet të garantojë mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe ruajtjen e identitetit të tyre.
Në tekst nënvizohet se kufijtë administrativë ndikojnë në përfaqësimin vendor, përdorimin e gjuhës, aksesin në shërbime dhe ushtrimin e të drejtave të komuniteteve minoritare. Për këtë arsye, çdo ndryshim në hartën territoriale duhet të shoqërohet me konsultim të komuniteteve dhe me një analizë të ndikimit që mund të ketë mbi jetën e tyre. Socialistët veçojnë tre bashki ku pakicat kombëtare janë të përqendruara dhe që, sipas raportit, kërkojnë trajtim të veçantë: Dropull në qarkun e Gjirokastrës, Finiq në qarkun e Vlorës dhe Pustec në qarkun e Korçës.
Raporti paralajmëron se edhe nëse në të ardhmen propozohet reduktimi i numrit të bashkive për shkak të popullsisë së ulët apo performancës financiare, këto njësi vendore nuk duhet të analizohen vetëm përmes treguesve ekonomikë. Ligji shqiptar parashikon që në njësitë vendore ku pakicat kombëtare përbëjnë mbi 20% të popullsisë, ato mund të kërkojnë përdorimin e gjuhës së tyre në marrëdhëniet me institucionet vendore dhe vendosjen e emërtimeve dygjuhëshe për rrugët, njësitë administrative dhe treguesit topografikë. Dokumenti përmend gjithashtu bashki me profil të fortë identitar, si Hasi dhe Konispoli, duke kërkuar që vendimmarrjet për hartën e re territoriale të mos dëmtojnë kohezionin social, traditat historike dhe të drejtat e pakicave kombëtare.

