Më 22 nëntor 1963 presidenti amerikan John Fitzgerald Kennedy u qëllua për vdekje gjatë një vizite në Dallas, Teksas, ndërsa udhëtonte në një limuzinë të hapur pranë bashkëshortes Jacqueline Kennedy. Kennedy, 46 vjeç me më pak se tre vjet në krye të presidencës, u godit në qafë dhe në kokë; guvernatori i Teksasit John Connally mbeti i plagosur rëndë. Limuzina u drejtua me urgjencë drejt Spitalit Parkland, por Kennedy u shpall i vdekur pak kohë më vonë. Pamjet e regjistruara nga Abraham Zapruder janë ndër dokumentet filmike më të njohura të ngjarjes dhe vazhdojnë të studiohen. Brenda pak orësh, zëvendëspresidenti Lyndon B. Johnson u betua si president i ri.
Autoritetet arrestuan 24-vjeçarin Lee Harvey Oswald, ish-pjesëtar të Marinës Amerikane, si të dyshuar për vrasjen. Më 24 nëntor 1963, Oswald u qëllua për vdekje nga Jack Ruby, pronar klubi nate në Dallas, gjatë transportimit nga policia, dhe nuk u paraqit kurrë në gjyq. Komisioni Warren arriti në përfundimin se Oswald kishte vepruar i vetëm dhe se nuk kishte prova për një komplot më të gjerë. Megjithatë, pyetjet dhe teoritë konspirative vazhduan për dekada; në vitet e fundit administrata e Donald Trump publikoi dhjetra mijëra dokumente të klasifikuara lidhur me atentatin.
Kennedy lindi më 29 maj 1917 në Brookline, Massachusetts, në një familje të pasur dhe me ndikim politik; ai ishte një nga nëntë fëmijët e Joseph dhe Rose Kennedy. Babai shërbeu si ambasador i SHBA-së në Britani dhe investoi në edukimin e fëmijëve. John studioi në Universitetin e Harvardit dhe zhvilloi interes për politikën ndërkombëtare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shërbeu në Marinë dhe si komandant i PT-109 ndihmoi në shpëtimin e ekuipazhit pas përplasjes me një destrojer japonez, duke marrë dekorata për shërbimin e tij.
Pas luftës nisi karrierën politike: i zgjodhëm në Dhomën e Përfaqësuesve në 1946 dhe në Senat në 1952. Një vit më vonë u martua me Jacqueline Bouvier. Në vitin 1960 fitoi presidencën kundër Richard Nixon-it me një garë shumë të ngushtë dhe u betua më 20 janar 1961, në moshën 43 vjeç, si presidenti më i ri i zgjedhur deri atëherë dhe i pari katolik.
Presidenca e tij u karakterizua nga sfida të Luftës së Ftohtë: dështimi i Gjirit të Derrave (1961), kriza e raketave kubane (tetor 1962) që u zgjidh me tërheqjen e raketave sovjetike, dhe fjalimi në Berlin më 26 qershor 1963. Në planin e brendshëm mbështeti të drejtën civile dhe programet si Korpusi i Paqes, Ushqim për Paqe dhe Aleanca për Progresin. Kur u qëllua në nëntor 1963, po përgatitej për fushatën e rizgjedhjes për 1964; presidenca e tij zgjati 1,036 ditë. Vdekja e tij la një ndikim të thellë dhe trashëgimia politike si dhe misteret rreth vrasjes vazhdojnë të tërheqin interesin publik dhe të historianëve.

