60 studentë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën në urgjencën e QSUT-së në Tiranë me simptoma të të vjellave, duke ngritur dyshime për një rast të mundshëm helmimi ushqimor. Kompania kateringuese “SORI-AL” reagoi duke kërkuar një hetim të plotë dhe deklaroi se, sipas informacionit të marrë prej saj, studentët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë rikthyer në ambientet e Akademisë.
Në deklaratën zyrtare, kompania thotë se ka ndjekur situatën nga momenti i parë, ka qëndruar në kontakt me autoritetet dhe ka forcuar masat e kontrollit dhe monitorimit të procesit të prodhimit, transportit, shpërndarjes dhe konsumimit të ushqimit, pas një episodi të ngjashëm të raportuar në muajin maj. “SORI-AL” nënvizon se përgatit dhe shpërndan çdo ditë mbi 1.000 racione ushqimore dhe operon prej më shumë se 23 vitesh në sektorin e kateringut për entet publike, duke rikonfirmuar respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore dhe mungesën e episodeve të përsëritura në të shkuarën.
Kompania raportoi se gjatë ofrimit të shërbimit janë konstatuar mangësi në disa kushte higjieno-sanitare brenda Akademisë, si mungesa e mundësisë për larjen e duarve me ujë të ngrohtë dhe detergjent para vakteve, si dhe se shumë studentë konsumonin ushqimin menjëherë pas përfundimit të stërvitjes. Gjithashtu, “SORI-AL” dokumentoi raste të futjes dhe konsumimit të produkteve ushqimore të porositura nga jashtë sistemit të furnizimit të kontraktuar, dhe propozon që ky element të jetë pjesë e hetimit objektiv të institucioneve kompetente.
Kompania kërkon që hetimi të bazohet në prova shkencore, epidemiologjike dhe laboratorike, pa nxjerrë përfundime të parakohshme dhe pa dëmtuar reputacionin e saj. “SORI-AL” deklaron gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet dhe pret rezultatet e analizave laboratorike të kampioneve të marra nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe analiza të kryera në mënyrë të pavarur nga një laborator tjetër i akredituar si pjesë e sistemit të autokontrollit.

