Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës ka nisur procedimin penal për ngjarjen e 8 shtatorit në fshatin Bujan të Tropojës, ku një punonjës i bashkisë humbi jetën e tre të tjerë u plagosën pas kontaktit me rrymën elektrike. Hetimet zhvillohen në kuadër të procedimit penal nr. 390 të vitit 2026.
Si pjesë të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar ndalimin e dy zyrtarëve të Bashkisë Tropojë: Ndriçim Gjocaj, 36 vjeç, Drejtor i Shërbimeve Publike, Turizmit dhe Transportit, dhe Gëzim Hasanpapaj, 60 vjeç, teknik i mirëmbajtjes së rrugëve. Të ndaluarit, që u prangosën një ditë më parë, dyshohen për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, sipas neneve 248 dhe 289 të Kodit Penal.
Ngjarja ndodhi në rrugën e Dobravës, në zonën e Bujanit, ku katër punonjës të sektorit të shërbimeve të bashkisë po vendosnin në bazament një shtyllë ndriçimi anë rrugës. Sipas hetimeve të deritanishme, gjatë vendosjes punonjësit kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur përcjellësit elektrikë, duke përcjellë rrymën te katër punonjësit.
Si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike humbi jetën 59-vjeçari Muhamet Sylisufaj. Tre kolegët e tij, të identifikuar me inicialet A.D., I.D. dhe A.A., u transportuan për ndihmë mjekësore dhe sipas raportimeve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Prokuroria po vijon hetimet me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive për shkeljet e dyshuara. Hetimet përfshijnë veprime për verifikimin e kushteve të punës, procedurave të ndjekura gjatë vendosjes së shtyllës dhe përgjegjësive të personelit të përfshirë, ndërsa masat ndaj të ndaluarve lidhen me rezultatin e hetimeve paraprake.

