Temperaturat e larta dhe era kanë intensifikuar zjarret dhe kanë rindezur vatra që më parë ishin vënë nën kontroll. Në 24 orët e fundit Ministria e Mbrojtjes raporton 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 mbeten aktive dhe 1 është në monitorim. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse dhe 839 forca operacionale; në mbështetje janë përfshirë edhe 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Aktualisht në terren operojnë 167 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Priskë të Madhe, Tiranë, zjarri mori përmasa të rrezikshme duke iu afruar banesave; një shtëpi e pabanuar u shkrumbua dhe disa familje u evakuuan. Zjarri është shtrirë drejt Gurrës, Farkës dhe Lundrës, ku vijon puna e forcave tokësore dhe ndërhyrja nga ajri për kontrollimin e situatës. Në Krujë, vatra u riaktivizuan në Abaze, ndërsa në Mallakastër nuk u regjistrua situatë serioze me flakët.
Në Abaze operacioni mbetet aktiv dhe po mbështetet fuqishëm nga Forcat e Armatosura dhe mjetet ajrore; në terren janë 57 efektivë të FA-së, mjete mbështetëse dhe helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Krastë dhe Halil veprojnë strukturat e ADZM-së, bashkitë dhe 58 efektivë ushtarakë me 6 automjete, pa rrezik për zonat e banuara. Në zonën Drenie–Lofkend–Ngracije, Patos–Mallakastër, operacioni vijon me forcat zjarrfikëse dhe vendore, të mbështetura nga 30 efektivë të FA-së dhe 1 autoambulancë; në terren janë 3 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë dhe 25 forca bashkiake.
Në Dajt, pranë fabrikës së ujit Selita dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës, vijon shuarja në pyll pishash me angazhimin e MZSH-së, ADZM-së dhe 2 helikopterëve të FA-së, pa rrezik për zona të banuara. Në Përmet dy vatra në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel operohen nga zjarrfikësit dhe forcat bashkiake, të mbështetura nga 25 dhe 30 efektivë të FA-së; vatrat janë në terren malor, pa rrezik për banesat. Në Gurë-Lurë, Dibër, vijon një operacion i gjerë me përfshirjen e MZSH, bashkive, Policisë, shërbimit pyjor, ADZM, AKMC, emergjencave civile, vullnetarëve dhe 50 efektivëve të FA-së me 2 “Air Tractor”. Në malin e Moravës (Devoll) dhe në Mirditë (Valcë–Tenë, Trojë) vijojnë ndërhyrjet pa rrezik për zonat e banuara; vatra në Vilëz, Kurbin, është në monitorim. Në Vau të Dejës vijon shuarja e një vatre në pyll pishash me mbështetjen e një automjeti zjarrfikës të FA-së. AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile monitorojnë dhe koordinojnë operacionet, duke prioritarizuar mbrojtjen e jetës, banesave dhe shuarjen e vatrave aktive.

