Një 37-vjeçar u arrestua në flagrancë në Sarandë, pasi dyshohet se posedonte një armë zjarri dhe shiste lëndë narkotike në lokalin që administronte në qytet. Operacioni policor i koduar “Administratori” u zhvillua pas kontrolleve të ushtruara në ambiente dhe subjekte të ndryshme në Sarandë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative. Si rezultat u evidentuan një rast armëmbajtjeje pa leje dhe një rast shitjeje të lëndëve narkotike.
Është arrestuar shtetasi A. H., 37 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë kontrollit në lokalin që ai administronte në lagjen nr. 4, si dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tij, shërbimet e Policisë sekuestruan si prova materiale një pistoletë me një krehër që përmbante 7 fishekë, si dhe një sasi lënde narkotike kokaine, e cila dyshohet se ishte e destinuar për shitje dhe shpërndarje.
Policia njofton se arma dhe lënda narkotike u gjetën gjatë kontrollit në ambientet ku kryhej aktiviteti i pretenduar kriminal. Materialet procedurale, për veprime të mëtejshme, u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

