Sot mbushen 31 vjet nga vrasja dhe zhdukja e Remzi Hoxhës, ngjarje që, sipas familjes, mbetet e rrethuar me mister. Në një deklaratë të shpërndarë nga Prishtina në emër të familjes Hoxha, djali i të ndjerit, Ardian Hoxha, akuzon kreun e Partisë Demokratike, Sali Berishën, i cili në atë kohë ishte president, si përgjegjës kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e babait të tij. Ardiani thotë se më 21 tetor 1995 Remzi Hoxha u rrëmbye në mes të ditës nga vendi i punës në Tiranë nga persona të lidhur me Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK), ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende.
Familja kërkon prej 31 vjetësh një përgjigje nga shteti shqip‑tar: vendndodhjen e eshtrave të Remzi Hoxhës. Ardian Hoxha thekson se, sipas vendimit të prerë të gjykatës shqiptare, shteti di se kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau, por nuk ka treguar ku është varrosur trupi. Ai shprehet se zhdukjen e prisnin nga serbët, por jo nga shteti shqiptar dhe akuzon Sali Berishën si “antishqiptarin” dhe “kriminelin më të madh” që ka njohur historia shqiptare. Po ashtu ai përmend kryeministrin Edi Rama dhe thotë se, pavarësisht dosjeve dhe emrave që familja u ka dërguar, gjatë 13 viteve të qeverisjes së tij nuk është bërë asnjë përpjekje për gjetjen e eshtrave.
Ardian Hoxha sqaroi se familja nuk kërkon ndëshkime politike, por vetëm eshtrat, për t’i bërë varr dhe për të vazhduar jetën. Ai vë në dukje se edhe në rastet e vrarjeve nga forcat serbe trupat u janë kthyer familjeve, ndërsa Shqipëria qëndron 31 vjet pa kthim të eshtrave të babait të tij. Në apelin e drejtuar Qeverisë së Shqipërisë, Kryeministrit, Prokurorisë dhe SPAK-ut, Ardiani kërkon hapjen e arkivave të ish‑SHIK-ut, rihapjen e kërkimit për trupin me persona të caktuar dhe me afat, pyetjen e çdo personi që ka qenë pjesë e atyre strukturave dhe dhënie garanci atyre që duan të flasin.
Në fund të deklaratës ai falenderon çdo person që ka mbështetur familjen në protesta, intervista dhe fjalë, duke përsëritur kërkesën që të dihet vendndodhja e eshtrave dhe të bëhet varri i babait të tij.

