Një ngjarje e rëndë ka tronditur Pensilvaninë, ku studenteja 18-vjeçare Karoline Heintz u gjet e vrarë me thikë në bagazhin e një makine të braktisur pranë kampusit të Universitetit PennWest, në California Borough. Sipas policisë, të mërkurën në mbrëmje, më 19 gusht, Heintz u takua me të dashurin e saj, Royce Mosher, në North Strabane Township për të diskutuar për marrëdhënien e tyre dhe të ardhmen e lidhjes, ndërsa ajo po përgatitej të niste vitin e parë dhe të luante për ekipin e futbollit femëror të universitetit. Gjatë bisedës, situata dyshohet se u përshkallëzua; Mosher shkoi në kuzhinë, mori një thikë dhe pak minuta më vonë e goditi Heintz në gjoks.
Pas vrasjes, autoritetet thonë se Mosher vendosi trupin në bagazhin e makinës dhe më pas shkoi te shtëpia e nënës së tij, një gruaje 57-vjeçare, për t’i kërkuar ndihmë. Të dy dyshohen se u përpoqën të pastronin rrobat dhe automjetin për të hequr njollat e gjakut. Më pas udhëtuan drejt California Borough dhe lanë automjetin pranë bibliotekës. Familja e viktimës kishte njoftuar policinë pasi Heintz nuk ishte kthyer në konvikt dhe nuk kishte komunikuar me të afërmit; pas kërkimeve, autoritetet gjetën trupin në bagazhin e makinës.
Mosher u tha hetuesve se ishte “i pushtuar nga një demon” dhe se “demonët” i kishin thënë të kryente vrasjen. I riu u arrestua të enjten në mëngjes dhe përballet me akuza për vrasje, dy akuza për manipulim provash, dy akuza për përdhosje të një kufome dhe pengim të drejtësisë. Edhe nëna e tij u arrestua dhe u akuzua për manipulim provash, pengim të drejtësisë, pengim të kapjes së një të arratisuri dhe përdhosje të një kufome.
Gjatë shoqërimit, gruaja deklaroi “nuk e bëri ajo” dhe i kërkoi falje familjes së viktimës, duke shtuar “Më vjen keq që djali im mori një jetë”. Universiteti PennWest reagoi me një deklaratë ku shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë e 18-vjeçares: “Universiteti PennWest shpreh hidhërimin e tij më të thellë për vdekjen tragjike të Karoline Heintz, e cila ishte studente e vitit të parë. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi”.

