Familjes së shëtitëses 18-vjeçare Lily Hooper u tha gabimisht se vajza ishte gjetur gjallë pas tetë ditësh kërkimesh në një zonë të largët pyjore, por autoritetet më vonë konfirmuan se ajo ishte gjetur e vdekur. Hooper kishte nisur ecjen nga Oakdale, New South Wales, më 12 gusht për në Parkun Kombëtar Nattai; kur nuk u kthye atë mbrëmje, ajo u raportua e zhdukur dhe nisi një operacion kërkim-shpëtimi me shumë agjenci.
Kërkimi vazhdoi për disa ditë në një zonë me terren veçanërisht të vështirë. Të enjten në mëngjes u transmetua informacioni se 18-vjeçarja ishte gjetur gjallë, lajm që shkaktoi momente gëzimi dhe lehtësimi në vendin e kërkimit, ku anëtarët e familjes së saj thuhet se festuan duke besuar se aventura kishte marrë një fund të lumtur, sipas CNN. Edhe Kryeministri i shtetit të New South Wales, Chris Means, njoftoi publikisht shpëtimin gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në një takim të komisionit parlamentar.
Pak minuta më vonë, ai u detyrua të korrigjonte deklaratën, duke konfirmuar se Lily Hooper kishte humbur jetën dhe shprehu keqardhjen: “Jam thellësisht i trishtuar”. Shefi i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lennon, lëshoi një ndjesë publike për keqkuptimin, duke thënë se kishte pasur “një ndërprerje serioze të komunikimit” kur u gjet trupi i vajzës. Ai kërkoi falje “për këtë keqkuptim dhe për çdo traumë të mëtejshme që mund t’i ketë shkaktuar familjes së Lily-t” dhe shpjegoi se keqkomunikimi kishte ndodhur në emocionin e momentit, ndërsa fjala u përhap shpejt midis atyre që ishin përfshirë në kërkim. Policia tha se informacioni që u përhap në të vërtetë ishte për vendndodhjen e trupit të saj.
Autoritetet njoftuan se do të hetojnë rrethanat e vdekjes së 18-vjeçares dhe mënyrën se si ndodhi gabimi fatal në informimin e familjes. Parku Kombëtar Nattai, rreth 80 kilometra nga Sidnei, karakterizohet nga terren i vështirë, shkëmbinj të pjerrët dhe zona të izoluara; në ditët e fundit zona është goditur nga erëra të forta dhe temperatura të ulëta gjatë natës, që vunë vështirësi shtesë në operacionin e kërkimit.

