Filmi biografik “Michael”, kushtuar jetës së Michael Jackson, është bërë filmi biografik me fitimet më të larta të të gjitha kohërave, duke arkëtuar 977 milionë dollarë në kinematë botërore. Me këtë rezultatë ai ka kaluar “Oppenheimer” të Christopher Nolanit, i cili më parë mbante rekordin për një biografi të bazuar në jetën e një figure reale, dhe më herët kishte tejkaluar edhe “Bohemian Rhapsody” si biografia muzikore më e suksesshme në histori.
I drejtuar nga Antoine Fuqua, filmi ndjek karrierën e Jacksonit nga fillimet e tij si fëmijë në grupin familjar Jackson 5 deri te transformimi në “Mbretin e Popit”. Rolin kryesor e interpreton Jaafar Jackson, nipi i këngëtarit, ndërsa Colman Domingo dhe Nia Long luajnë rolet e prindërve. Që nga publikimi në prill, “Michael” fitoi 217 milionë dollarë vetëm në javën e parë në mbarë botën, duke lënë pas edhe tituj të tjerë biografikë muzikorë si “Straight Outta Compton”.
Produksioni është bërë gjithashtu filmi më i suksesshëm në historinë e Lionsgate Studios, duke kaluar edhe “The Hunger Games: Catching Fire” të vitit 2013 në të ardhura. Filmi është financuar nga pasuria e Michael Jackson dhe përdor vokalin origjinal të artistit në interpretimet muzikore.
Nga ana e kritikës, reagimet kanë qenë të përziera. Disa recensues e kanë cilësuar portretizimin si të zbutur, duke vënë në dukje se në film nuk trajtohen akuzat për abuzim seksual që kanë ndjekur Jacksonin gjatë viteve. Në raporte thuhet se disa skena që lidhen me këto akuza u hoqën pas një marrëveshjeje për moszbulim. Megjithatë, audienca e ka pritur më pozitivisht: vlerësimet e fansave në platforma si Rotten Tomatoes janë dukshëm më të larta se të kritikëve.
Sipas revistës Variety, Lionsgate pritet të publikojë të paktën edhe një film tjetër mbi jetën e legjendës së muzikës.

