Një raport i Institutit të Shëndetit Publik paraqet gjetjet e hetimit epidemiologjik pas rritjes së rasteve me diarre dhe simptoma gastrointestinale në Fushë-Arrëz. Gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator 2026, në Qendrën Shëndetësore Fushë-Arrëz u paraqitën 139 persona me shenja gastrointestinale; 128 raste (91.7%) ishin banorë të Fushë-Arrëzit, me përqendrim kryesisht në lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”. Të gjitha rastet raportuan diarre; 128 persona kishin të vjella dhe 81 shfaqën temperaturë. Moshat e prekur varionin nga 2 deri në 94 vjeç.
Hetimi i ISHP-së përqendroi vëmendjen te sistemi i furnizimit me ujë, pasi banorët e prekur deklaruan se konsumojnë ujë nga rrjeti publik i të njëjtit sistem. Gjatë periudhës së hetimit u konstatuan ndërprerje të furnizimit dhe ujësjellësi funksiononte me orar. Analizat laboratorike zbuluan ndotje mikrobiologjike në disa pika të sistemit: në Depon nr.1 u gjetën koliforme, E. coli dhe enterokokë, ndërsa në një pikë fundore pranë ish-Parkut u evidentuan koliforme, E. coli, enterokokë dhe Pseudomonas aeruginosa.
Gjithashtu, analiza e hipokloritit të natriumit tregoi se klori aktiv ishte 9.04%, ndërsa raporti përcakton si kufi 13–15%, çka do të thotë se substanca e përdorur për dezinfektimin e ujit nuk përmbushte kërkesat për klorinim dhe dezinfektim të ujit të pijshëm. Në kontrast me ndotjen e ujit, 17 mostrat klinike të marra nga personat e prekur rezultuan negative për patogjenët bakterialë dhe viralë të kërkuar, përfshirë Norovirusin, Rotavirusin, Adenovirusin, Astrovirusin dhe Sapovirusin.
ISHP vlerëson se përqendrimi i rasteve në zonën e furnizuar nga i njëjti sistem ujësjellësi, prekja e grupmoshave të ndryshme dhe evidentimi i ndotjes mikrobiologjike të ujit janë tregues të fortë për një burim të përbashkët ekspozimi të lidhur me sistemin e furnizimit me ujë. Raporti klasifikon ngjarjen si “shpërthim me transmetim hidrik” dhe e lidh atë me moszbatimin korrekt të praktikave higjieno-sanitare që garantojnë cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm. Ndër rekomandimet janë pastrimi dhe dezinfektimi i depove dhe linjave të furnizimit, forcimi i procesit të klorinimit, monitorimi i klorit mbetës dhe sigurimi i alternativave të sigurta të furnizimit me ujë deri në përmirësimin e situatës.

