Institucionet e Kosovës kanë rikthyer kërkimet në fshatin Kozhle, në zonën e Novi Pazarit në Serbi, ku dyshohet se mund të jenë mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës. Zona është pjesë e agjendës së kërkimeve për të tretin vit me radhë. Dyshimet lidhen me eshtra që mund të gjenden rreth 15 metra nën sipërfaqe, në një vendgrumbullimi plehrash. Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës, i tha REL-së se gërmimet do të vazhdojnë, pavarësisht se institucionet nuk kanë informacion të saktë për vendndodhjen e eshtrave, dhe shtoi: “Përpjekjet tona do të vijojnë, megjithëse e theksoj se do të jemi shumë të kujdesshëm në kuptimin e menaxhimit të pritshmërive”.
Në terren po përqendrohen tre vende, të përcaktuara edhe mbi bazën e pamjeve satelitore, megjithëse Gara pranon se këto pamje nuk mbulojnë periudhën më të rëndësishme për të përcaktuar ndryshimet në terren. Ai tha se mbetet e paqartë se si ka qenë gjendja në prill dhe maj të vitit 1999, periudhë kur sipas tij janë kryer zhvendosje të kufomave nga vendet e masakrave drejt zonave të ndryshme në territorin e Serbisë.
Ndërkohë, në Kosovë vazhdon procesi i identifikimit të eshtrave të gjetura gjatë verës në tre varreza masive në komunën veriore të Zubin Potokut. Autoritetet kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave: Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut. Procesi i identifikimit po vazhdon për edhe 20 mbetje të tjera mortore.
Institucionet e Kosovës po kërkojnë nga Serbia që të vërë në dispozicion një listë me 16 varreza masive, e cila ishte bërë publike në vitin 2001. Deri tani janë konfirmuar vetëm pesë zona të varrezave masive, ku janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë, dhe sipas të dhënave në dispozicion mendohet se në Serbi mund të ketë të paktën edhe 11 zona të tjera.

