Me protesta dhe marshime në të gjithë Greqinë, mijëra greke nderuan 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punës, duke kërkuar paga më të larta, siguri në punë dhe respektim të të drejtave të tyre. Në Athinë, në sheshin Klafthmonos u zhvillua tubimi qendror i konfederatave të nëpunësve të sektorit privat GSEE dhe atij shtetëror ADEDY, ku sindikalistët theksuan se kostoja e jetesës, kriza e strehimit dhe mungesa e kontratave kolektive po rëndojnë gjithnjë e më shumë jetën e punonjësve. Në një tubim të veçantë në sheshin para parlamentit, organizata e punonjësve që mbështesin partinë komuniste, PAME, organizoi protestën e vet me tone të forta kundër politikave qeveritare dhe me mesazhe kundër luftës në Lindjen e Mesme, duke bërë thirrje për “rrugën e përmbysjes”.
Në Pire, përfaqësues të punonjësve të porteve theksuan se Dita e Punës mbetet simbol i luftës për të drejta, duke kërkuar paga të denja, orare të qëndrueshme dhe mbrojtje nga pasiguria në punë. Në thelb të protestave ishin kërkesat për rritje reale të pagave, rikthim dhe forcim të kontratave kolektive, respektim të 8-orëshit dhe përmirësim të kushteve të punës, në një periudhë ku, sipas sindikatave, paga shpesh nuk mjafton deri në fund të muajit.
Tubime dhe marshime u zhvilluan edhe në Selanik, ku punonjësit u mblodhën pranë Qendrës së Punës dhe marshuan në rrugët e qytetit, si dhe në qytete të tjera të vendit, duke përcjellë mesazhe për vazhdimin e betejës për të drejtat sociale. Në këtë klimë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis, përmes një videoje në TikTok, theksoi se qeveria “përgjigjet me vepra dhe jo me slogane”, duke renditur masat që, sipas tij, kanë përmirësuar jetën e punonjësve, si rritja e pagës minimale në 920 euro, ulja e papunësisë dhe zbatimi i kartës dixhitale të punës.
Ndërkohë, vazhdojnë kritikat e partive opozitare ndaj qeverisë konservatore, të cilat thonë se punonjësit nuk mund të përballojnë nevojat minimale me pagat e ulta për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe mungesës së sigurisë në punë. Top Channel.















