SPAK nuk ndalet. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka intensifikuar hetimet për një nga aferat më të përfolura të viteve të fundit: skandalin me dhënien e koncesionit dhe pronës publike për projektin “Marina di Valona”. Burime nga brenda strukturës kanë bërë me dije për portalin Timoni.al se kallëzimi penal i dorëzuar më 26 mars 2024 nga “Nisma Thurje” është pranuar dhe regjistruar për hetim të thelluar.
Në dosjen hetimore përfshihen emra të njohur të politikës dhe biznesit shqiptar, përfshirë ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ish-ministren e Financave Delina Ibrahimaj, biznesmenin Samir Mane, si dhe bashkëpunëtorin e tij të afërt Geront Çela. Të gjitha këto figura do të thirren për të dhënë shpjegime për përfshirjen e tyre në procesin e miratimit dhe zbatimit të projektit, i cili dyshohet se ka dëmtuar rëndë interesat publike dhe ka shkelur ligjin.
Marina Vlorë – një projekt i mbështetur nga pushteti
Hetimi i SPAK ka në fokus procedurat për dhënien e koncesionit për ndërtimin dhe menaxhimin e portit turistik “Marina Vlorë”, si dhe procesin paralel të shpalljes së projektit si “investim strategjik”. Kjo procedurë, e mbështetur nga vendime të Këshillit të Ministrave dhe institucione të tjera shtetërore, ka çuar në transferimin me qira simbolike të 57 mijë metrave katrorë truall publik në një nga zonat më të lakmuara të jugut të vendit – përfshirë një pjesë të ish-pronës së shoqërisë publike “Porti Detar”.
Sipas burimeve nga prokuroria, ekziston dyshimi se koncesioni dhe kontrata e qirasë janë dhënë në kundërshtim me ligjin, përmes procedurash të manipuluara që kanë përjashtuar konkurrencën e ndershme dhe kanë favorizuar një rreth të ngushtë përfituesish të lidhur me politikën dhe biznesin.
Ministria e Financave dhe ndryshimi i aksionerëve
Një pikë kyçe në hetim është mënyra se si u lejuan ndryshimet në strukturën aksionare të subjekteve që morën koncesionin. Sipas dokumenteve që ka siguruar portali ynë, Ministria e Financave ka luajtur një rol të dyshimtë përmes lehtësimit të këtyre ndryshimeve pa transparencë dhe pa ndjekur rregullat ligjore, duke mundësuar hyrjen e një skeme të dyshuar me përfitues të fshehtë.
Konkretisht, disa kompani u përfshinë në garë për të plotësuar kriteret ekonomike dhe teknike, por u tërhoqën sapo përfunduan procedurat zyrtare, duke ia kaluar kontrollin dhe përfitimet reale të tjerë personave – në këtë rast, Samir Mane dhe Geront Çela.
Projekti “Marina di Valona” dhe përfitimet nga shteti
Projekti “Marina di Valona” parashikohet të realizohet nga një bashkim operatorësh (joint venture): “Marina Di Valona” SHPK, “Brunes” SHPK, “Ndregjoni” SHPK dhe “Marina Projects” LTD. Sipas vendimit të Këshillit të Investimeve Strategjike (KIS) të datës 29 mars 2021, kjo bashkësi është shpallur fituese e koncesionit për ndërtimin e portit dhe njëkohësisht është përzgjedhur si investitor strategjik për zhvillimin e zonës përreth.
Në vijim të këtij vendimi, më 13 tetor 2021, Këshilli i Ministrave miratoi VKM nr. 599, me të cilën u firmos një kontratë qiraje ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe koncesionarit, për një sipërfaqe prej 57,502 m² truall, ku 3,828 m² parashikohen për ndërtim. Dokumenti përcaktonte se investimi në ndërtimet përreth do të bëhej përmes një subjekti të veçantë të krijuar enkas për këtë qëllim (SPV).
Nga porti turistik te kompleksi rezidencial
Sipas të dhënave zyrtare, kontrata e qirasë parashikon që bashkimi i shoqërive fituese të ndërtojë edhe struktura akomoduese, komerciale dhe me fokus turizmin – përtej infrastrukturës portuale. Kjo përforcohet edhe nga deklaratat publike të Kryeministrit Edi Rama, i cili në një konferencë për shtyp në nëntor 2023 e justifikoi dhënien e tokës publike me çmim simbolik si një “stimuj për tërheqjen e investitorëve të mëdhenj”.
Në deklaratën e tij, Rama argumentoi:
“Portet turistike janë investime afatgjata që nuk japin përfitime të menjëhershme pa u shoqëruar me komplekse mikpritjeje apo rezidenciale. Dhënia me qira 1 euro është një praktikë për të nxitur interesin e investitorëve.”
Ky arsyetim u përfshi edhe në kontratën e re të qirasë të nënshkruar më 23 nëntor 2021 ndërmjet Ministrisë së Financave dhe shoqërisë “Marina Residences Vlorë” SHPK – një subjekt i krijuar specifikisht për këtë qëllim.
Ndryshimet në kontratë që hapën rrugë për manovra
Ajo që bie në sy është ndryshimi në formulimin ligjor ndërmjet kontratës së miratuar me VKM dhe kontratës së lidhur më pas: në vend që investimi të bëhej “nëpërmjet një subjekti të krijuar për këtë qëllim”, në kontratën finale parashikohet që investimi të kryhet “si subjekt i krijuar për këtë qëllim”. Ky ndryshim i vogël në formulim ka krijuar hapësirë për interpretim dhe ka lejuar që vetë koncesionari të funksionojë si SPV, duke shmangur krijimin e një strukture të re dhe të kontrolluar.
Si pasojë, kjo ka bërë të mundur ndryshimin e aksionerëve pa kontroll të jashtëm dhe ka ngritur dyshime të forta për një skemë të qëllimshme të maskimit të përfituesve realë. Kompanitë që fituan tenderin janë zhdukur nga skema menjëherë pas procedurave të konkurrimit, duke ia lënë kontrollin Samir Manes dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në pritje të zhvillimeve nga SPAK
Me këtë dosje në dorë, SPAK është duke ndjekur me intensitet hetimet për të zbuluar nëse janë konsumuar vepra penale si shpërdorimi i detyrës, shkelje të barazisë në tendera, korrupsion aktiv dhe pasiv, si dhe pastrim parash. Hetimet mund të sjellin pasoja serioze për zyrtarët e përfshirë dhe për përfituesit realë të kësaj skeme, që përmes manovrave ligjore dhe mbështetjes politike kanë arritur të përvetësojnë pasuri publike me kosto minimale.
Ndërkohë që publiku pret transparencë dhe drejtësi, ky rast po shihet si një provë kyçe për integritetin e sistemit të drejtësisë së re dhe vullnetin e saj për të çmontuar lidhjet mes politikës, biznesit dhe pronës publike.