DURRËS – Alarm në një zonë pranë Portit të Durrësit, ku dyshohet se është konstatuar një lëndë eksplozive pranë ambienteve të OSHEE-së.
Burime nga Durrësi bëjnë me dije për Timoni se një pjesë e zonës është rrethuar nga forcat e Policisë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur specialistët e strukturave xheniere për verifikimin dhe neutralizimin e objektit të dyshuar.
Sipas burimeve, dyshimi për bombë ka shkaktuar panik te banorët dhe bizneset përreth, ndërsa policia ka marrë masa për izolimin e perimetrit dhe largimin e personave nga zona e rrezikut.
Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një mjet shpërthyes aktiv dhe nuk janë të qarta rrethanat apo motivet e vendosjes së tij.
Në zonën pranë OSHEE-së ndodhet edhe një pallat i ndërtuar rreth 15 vite më parë nga ndërtuesi Fatmir Volej, por në këtë fazë nuk ka të dhëna zyrtare që lidhin pallatin apo ndërtuesin me objektin e dyshuar.
Autoritetet pritet të japin detaje pas përfundimit të ndërhyrjes së specialistëve xhenierë dhe verifikimeve në vendngjarje.
Timoni po e ndjek situatën dhe do të sjellë çdo informacion të ri që konfirmohet nga autoritetet.

