Një dokument zyrtar i Degës së Doganës Fier i siguruar nga portali Timoni.al ka nxjerrë në pah një skandal të rëndë financiar që ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si administrata doganore po trajton një nga detyrimet më të mëdha fiskale në vend.
Në qendër të akuzave është drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ndaj të cilit rëndojnë dyshime për mosveprim në lidhje me arkëtimin e mbi 12.3 miliardë lekëve detyrime dhe penalitete nga kompania Bankers Petroleum.
Sipas dokumentacionit zyrtar, Dogana e Fierit ka shpallur kompaninë debitore për 3.095.566.890 lekë detyrim akcize dhe 9.286.700.670 lekë penalitete, duke e çuar totalin në shifrën marramendëse prej mbi 12.3 miliardë lekësh. Megjithatë, pavarësisht procedurave të nisura dhe ekzistencës së një urdhri ekzekutimi nga Gjykata Administrative e Lushnjës, detyrimet vijojnë të mos arkëtohen.
Në dokument thuhet se janë kryer njoftime për pagesë, kërkesa për likuidim vullnetar dhe procedura për rikuperim me forcë. Por në mënyrë absurde, kërkesa për ekzekutim nuk ka përfunduar në përmbarim, pasi rezulton të jetë dërguar gabimisht në sekretarinë e gjykatës “nga gabimi njerëzor”.

Ndërkohë, në vend që shteti të insistonte në mbledhjen e plotë të detyrimeve dhe penaliteteve, është lidhur një akt-marrëveshje vetëm për shlyerjen progresive të principalit, ndërsa miliardat në penalitete mbeten pezull dhe pa asnjë garanci reale arkëtimi.

Dokumenti krijon pamjen e një administrate të paralizuar, ku dosjet sorollaten nëpër zyra, procedurat zvarriten dhe urdhrat e ekzekutimit “humbasin” rrugës, ndërsa buxheti i shtetit humbet miliarda lekë.

Pyetjet që kërkojnë përgjigje janë të drejtpërdrejta:
Pse nuk është çuar deri në fund ekzekutimi i këtij borxhi kolosal? Kush po pengon përmbarimin ndaj kompanisë? Dhe pse administrata doganore po dështon të mbrojë interesin publik përballë një detyrimi kaq të madh?
Tashmë mbetet në dorën e SPAK të verifikojë nëse kemi të bëjmë me paaftësi administrative apo me një skemë të mirëorganizuar për të zvarritur dhe shmangur arkëtimin e miliardave që i detyrohen shtetit shqiptar.

